Të shtunën, më 15 nëntor, prindërit e viktimave të zjarrit tragjik në diskotekën “Pulse” kanë njoftuar organizimin e një proteste të re, të quajtur “Marshi i Engjëjve”, e cila këtë herë do të mbahet në Shkup, në vend të Koçanit.
Sipas organizatorëve, marshimi do të nisë në ora 12:05, nga Sheshi “Maqedonia” në Shkup, dhe do të vazhdojë drejt Parlamentit dhe Gjykatës Themelore Penale.
Në një video-mesazh drejtuar opinionit publik, prindërit e viktimave kujtuan humbjen e rëndë që pësuan më 16 mars, kur 63 të rinj humbën jetën në zjarrin e diskotekës.
“Fëmijët tanë vdiqën më 16 mars – gjashtëdhjetë e tre fëmijë që nuk do t’i shohim më kurrë. Nuk po kërkojmë mëshirë, por drejtësi. Ju ftojmë të bashkoheni me ne në këtë luftë, sepse fëmijët tanë e meritojnë. Po marshojmë për të vërtetën. Dhimbja është e jona, por lufta është për të gjithë ne. Kemi nevojë për mbështetjen tuaj,” – thuhet në mesazhin e prindërve.