Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka reaguar mbi akuzat e ngritura se ka qenë pjesë e grupit të ashtuquajturit “Safari i Sarajevës”, ku njerëz të pasur dhe zyrtarë të lartë qëllonin me snajper civilët gjatë rrethimit të kryeqytetit boshnjak në vitet ‘90.

Vuçiç deklaroi kurrë nuk ka mbajtur pushkë në dorë dhe njoftoi se do të ngrejë padi kundër mediave që e kanë publikuar këtë, duke shtuar se do angazhojë avokatët më të mirë në botë”.

Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiç deklaroi të martën se ia ka dorëzuar Prokurorisë në Milano të dhënat që, sipas tij, tregojnë se Vuçiç ka marrë pjesë ose ka ndihmuar në “turizmin e snajperëve”, ku thuhet se të huaj të pasur paguanin forcat serbe rreth Sarajevës së rrethuar për të qëlluar ndaj civilëve të qytetit.

“Unë nuk kam mbajtur kurrë pushkë, madje kur kam shkuar dhe kam pyetur nëse mund të bashkohem me ta, më thanë ‘djalosh, kthehu, na duhet një gazetar që di anglisht’. Historia është aq absurde dhe këtë e dinë të gjithë. Kam incizime, dëshmitarë dhe aty ku thonë se ishte pushka, në fakt ishin mbajtëse të kamerës që po ia mbaja kameramanit”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se do angazhojë avokatët më të mirë në botë për të paditur mediat si “The Guardian”, “Daily Mail” dhe të tjera që kanë raportuar për këtë. Vuçiç tha se beson se mund të fitojë miliona euro në këto padi.

“Vetëm duhet të shoh si e kanë formuluar, çfarë kanë formuluar dhe çfarë do të më thonë avokatët”, deklaroi presidenti i Serbisë.

“The Guardian” shkroi se presidenti i Serbisë po përballet me një kallëzim ligjor në rastin e ‘fundjavës së snajperëve’ në Sarajevë, duke përcjellë deklaratat se Margetiç ka paraqitur kallëzimin pranë prokurorëve në Milano.

Tabloidi britanik “Daily Mail” shkroi se presidenti i Serbisë akuzohet për pjesëmarrje në ‘safari njerëzor’, gjithashtu duke cituar pretendimet e Margetiç.

Edhe të enjten, gjatë konferencës rajonale të biznesit mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Ballkanit Perëndimor, Vuçiç, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, hodhi poshtë akuzat për lidhje me snajperët e fundjavës.

Mediat italiane raportuan në fillim të tetorit se prokurorët në Milano kanë hapur një hetim ndaj shtetasve italianë që thuhet se u kanë paguar shuma të mëdha parash forcave serbe, në mënyrë që gjatë rrethimit të Sarajevës të mund të ishin “snajperë të fundjavës” dhe të vrisnin qytetarë për argëtim.

Rasti është hapur nga prokurori Alessandro Gobbis, nën akuzat për vrasje me paramendim, të rënduar nga mizoria dhe motive të ulëta. Akuzat aktualisht janë ngritur kundër personave të panjohur dhe burojnë nga një kallëzim i paraqitur nga gazetari dhe shkrimtari Ezio Gavazzeni, me ndihmën e dy avokatëve dhe ish-gjykatësit Guido Salvini.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com