Tre persona janë ndaluar deri tani për për veprat penale kundër të drejtave të votimit, ka njoftuar Prokurori i Shtetit.

Rreth 80 prokurorë dhe personel të sistemit prokurorial kanë punuar dhe ende janë duke punuar me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave, tha Zyra e Prokurorit.

Gjatë ditës së sotme Prokurori i Shtetit ka pranuar disa informata dhe pas verifikimit dhe trajtimit të tyre, deri në mbyllje të procesit të votimit, është konstatuar se vetëm dy raste paraqesin elemente të kryerjes së veprave penale kundër të drejtave të votimit.

Rasti i parë është iniciuar në komunën e Fushë Kosovës, ku kemi të përfshirë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale: “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, nga neni 212 i Kodit penal të Republikës së Kosovës. Të dy personat me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë.

Ndërkaq, rasti i dytë është iniciuar në komunën e Klinës, kundër një personi të dyshuar për kryerjen e veprës penale: “Cenim i fshehtësisë së votimit”, nga neni 215 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku i dyshuari me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

“Prokurorët e shtetit do të vazhdojnë të kujdestarojnë edhe gjatë numërimit të votave në vendvotime deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale të numërimit. Me këtë rast Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit falënderon qytetarët e Republikës së Kosovës, mediat dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin e treguar me Prokurorin e Shtetit, me qëllim parandalimin dhe ndjekjen e suksesshme të veprave penale lidhur me këto zgjedhje. “.

Gazmend Muhaxheri reagon pasi Exit-Pollet e nxjerrin fitues në Pejë
Read more

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com