Studiuesit kanë zbuluar se arsyeja pse disa domate janë të verdha lidhet me një ndryshim shumë të vogël në gjenin YFT3. Ky gjen prodhon një enzimë që ndihmon në krijimin e pigmenteve natyrale që i japin domates ngjyrën e kuqe. Kur ndodh një ndryshim në këtë gjen, zëvendësimi i një aminoacidi të quajtur serinë me një tjetër të quajtur argininë, enzima nuk punon siç duhet dhe domatet humbasin ngjyrën e kuqe, duke u bërë të verdha.

Një ekip nga Universiteti Shanghai Jiao Tong në Kinë zbuloi këtë mutacion dhe e përshkroi në revistën Horticulture Research. Ata vërejtën se ndryshimi ndalon grumbullimin e pigmenteve të kuqe (karotenoideve) dhe dëmton formimin e qelizave që ruajnë këto pigmente. Edhe pse proteina mbetet në sasi normale, ajo nuk është më aq aktive, ndaj prodhimi i likopenit, pigmentit që i jep domates ngjyrën e kuqe, bie ndjeshëm. Kur shkencëtarët e rikthyen gjenin në formën e tij normale, domatet rifituan ngjyrën e kuqe, duke vërtetuar rëndësinë e këtij gjeni.

Analizat treguan se edhe pse disa gjene të tjera për pigmentet u aktivizuan më shumë, kjo nuk mjaftoi për të kompensuar dëmin. Modelet kompjuterike treguan se ndryshimi në Ser126 e bën enzimën më pak efektive dhe pengon procesin e krijimit të ngjyrës. Si rrjedhojë, frutat zhvillohen me pigment më të paktë dhe mbeten të verdha.

Sipas dr. Lingxia Zhaos, ky zbulim tregon se një ndryshim shumë i vogël në ADN mund të ndikojë dukshëm në pamjen dhe cilësinë e frutit. Njohja e këtij procesi mund t’u ndihmojë shkencëtarëve dhe bujqve të krijojnë varietete domatesh më të bukura, me ngjyrë më të fortë dhe vlera ushqyese më të larta.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com