Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski paralajmëroi sot ndryshime të thella kadrovike në administratë dhe ndërmarrjet publike pas fillimit të mandatit të tij të tretë.
“Definitivisht do të ketë ndryshime nga eshaloni i parë e deri te i fundit, kudo ku ka vërejtje në punën e individëve, sepse asnjë sistem nuk mund të mbështetet në vullnetin e mirë të një personi, por duhet të ndërtohet sistem që është në funksion të qytetarëve“, deklaroi Dimitrievski.
Ndryshimet në pozitat udhëheqëse priten edhe për shkak të marrëveshjes me partnerët e koalicionit VMRO-DPMNE, DPSM dhe VLEN.
Sipas informacioneve jozyrtare për Kumanovonews, NP “Pastrim dhe gjelbërim” do t’i takojë VMRO-DPMNE-së, e cila pritet të mbajë nën menaxhim edhe NP “Kumanovo-gas” dhe “Kumanovo-plan”.
VLEN do të vazhdojë të udhëheqë NP “Tregu”, ndërsa ZNAM pritet të mbetet në krye të NP “Ujësjellësi” dhe NP “Kumanovo-parking”. Edhe partia serbe DPSM e Ivan Stoilkoviçit, si pjesë e koalicionit, do të marrë një pozitë drejtuese në njërën nga institucionet publike të qytetit.
Aktualisht, kontrata menaxheriale edhe për dy vite të tjera kanë vetëm drejtorët e “Ujësjellësit”, Oliver Stojmanovski, dhe i “Kumanovë-gasit”, Marko Mitrovski. Të tjerët: Nenad Stojanovski në “Higjiena”, Andreja Maxhovski në “Kumanovë-parking”, Vlora Ibraimi në “Tregu” dhe Aneta Shandeva në “Kumanovo Plan” janë ushtruese detyre.
Drejtorët e Bibliotekës, Konviktit, Shtëpisë së të Moshuarve, si dhe ata në shkollat fillore dhe të mesme, kanë kontrata menaxheriale të vlefshme.
Sipas raportimit të Kumanova News, negociatat ende vazhdojnë dhe për momentin nuk dihet se kush do të jenë udhëheqësit e rinj, por është e sigurt se do të ketë ndryshime në një pjesë të strukturave drejtuese aktuale në ndërmarrjet publike dhe në administratën komunale.
Dimitrievski thekson se ndryshimet do të realizohen në përputhje me ligjin dhe duke respektuar procedurat për emërim dhe shkarkim të kuadrove udhëheqëse në Komunë.