Qeni “American Staffordshire” i shtetasit të Kosovës lëndoi rëndë qenin “Pit Bull” të shtetasit grek, Prokuroria me detaje rreth betejave ilegale për qen në Maqedoni
Nga Prokuroria Themelore Publike njoftojnë se në Manastir ka filluar procedim penal kundër dy personave për veprën penale për mbytje dhe keqtrajtim të kafshëve, përcjell TV21. Prokurori njofton se ka kërkuar që shtetasit të Maqedonisë t’i caktohet masa e paraburgimit, ndërsa gjykata i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.
“Të dyshuarit janë një 44-vjeçar, ndërmjetësues në organizimin e betejave me qen, dhe një 43-vjeçar që në oborrin e një shtëpie familjare në fshatin Crnec të Manastirit kishte përgatitur një ring të rrethuar ku organizoheshin betejat. Në procedim penal për të njëjtën vepër janë përfshirë edhe një shtetas grek dhe një kosovar, të cilët aktualisht janë në arrati. Së bashku, më 1 nëntor në orët e mbrëmjes, për shkak të interesit material, ata keqpërdorën në mënyrë të rëndë dhe i shkaktuan dhimbje të panevojshme një qeni të racës “pit bull”, pronë e shtetasit grek të dyshuar, duke e detyruar të luftonte me një qen të racës “American Staffordshire”, pronë e shtetasit kosovar të dyshuar. Gjatë luftës, qeni “pit bull” mori lëndime – kafshime nga qeni tjetër. Luftën e ndoqën persona të tjerë nga Kosova, Greqia dhe Maqedonia, tek të cilët policia gjeti para të gatshme në monedha të ndryshme euro dhe denarë. Të dy pronarët e qenve në ring u larguan menjëherë pas mbërritjes së policisë. Ata janë identifikuar dhe aktualisht janë në kërkim”, thonë nga Prokuroria.