Sot në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, ku qytetarët votojnë për kryetarë komunash në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Në komunën e Shuto Orizarës po mbahet gjithashtu rivotim për këshilltarë në tre vendvotime.
Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), në këtë raund kanë të drejtë vote gjithsej 1.013.375 qytetarë, prej të cilëve 474.304 janë të regjistruar në Qytetin e Shkupit.
Një ditë më parë, të drejtën e votës e ushtruan 4.826 persona, përfshirë të sëmurët dhe të pafuqishmit, personat e ndaluar dhe ata në arrest shtëpiak, në komunat ku zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve.
Procesi i votimit zhvillohet vetëm personalisht, dhe e drejta i takon çdo qytetari të regjistruar në listën zgjedhore që posedon letërnjoftim ose pasaportë të vlefshme. Qendrat e votimit janë hapur nga ora 07:00 deri në ora 19:00, në gjithsej 1.771 vendvotime në mbarë vendin.
Ankesat dhe procedurat ligjore
Sipas Kodit Zgjedhor, çdo parti politike, koalicion apo kandidat ka të drejtë të paraqesë ankesë në KSHZ për parregullsi gjatë procesit të votimit, numërimit apo shpalljes së rezultateve brenda 48 orëve pas mbylljes së votimit.
KSHZ është e obliguar të shqyrtojë të gjitha faktet dhe të marrë vendim brenda 72 orëve nga pranimi i ankesës.
Nëse pala e pakënaqur nuk pranon vendimin e KSHZ-së, ajo mund të paraqesë padi në Gjykatën Administrative brenda 24 orëve, ndërsa kjo e fundit duhet të vendosë brenda 48 orëve.
Çdo qytetar që beson se i është cenuar e drejta e votës mund të paraqesë ankesë në Komisionin Komunal Zgjedhor brenda 12 orëve, ose, në rastet e votimit jashtë vendit, t’i drejtohet KSHZ-së përmes emailit ose personalisht brenda 24 orëve.
Organi kompetent i shkallës së parë duhet të vendosë brenda 2 orëve nga pranimi i ankesës, ndërsa kundër këtij vendimi qytetari mund të paraqesë padi në Gjykatën Administrative brenda 12 orëve, e cila merr vendim brenda 2 orëve. Gjithashtu, në çdo fazë të procesit zgjedhor, çdo votues që konsideron se i është cenuar e drejta e tij mund të dorëzojë ankesë në KSHZ brenda 48 orëve, ndërsa Komisioni është i detyruar të marrë vendim brenda 4 orëve nga pranimi i saj.