Qyteti i Shkupit ka shpallur tenderin për ndërtimin e fazës së parë të bulevardit “Maqedonia”, që përfshin hyrjet dhe daljet në rrugën nën tokë pranë kompleksit banesor-tregtar “Limak” në qendër të qytetit.

Sipas dokumentacionit të tenderit të publikuar në Byronë e Prokurimeve Publike, ndërtimi do të bëhet nga kryqëzimi te “Tutunski Kombinat” deri te hyrja e rrugës nën tokë, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave është deri më 15 dhjetor.

“Pas përfundimit të procedurave ligjore, do të fillojmë menjëherë me punimet. Më pas do të vijojnë fazat e ndërtimit të rrethrrotullimeve te ‘Nova Makedonija’ dhe në bulevardin Koço Racin e rrugën Hekurudha, që do të mundësojnë qarkullim më të sigurt e më të shpejtë, me zgjidhje moderne sipas standardeve evropiane”, tha kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski.

Marrëveshja për bulevardin jugor nën tokë me investitorin turk “Limak” u nënshkrua më 12 mars 2012 nga ish-kryetari Koce Trajanovski, me paralajmërimin se ndërtimi do të fillonte brenda një viti. Sipas planit, fillimisht investitori duhej të ndërtonte rrugën nën tokë, e më pas objektet mbi të.

Megjithatë, për më shumë se gjashtë vjet në terren nuk u punua asgjë, ndërsa autoritetet e qytetit nuk dhanë shpjegime për vonesat. Me ardhjen në detyrë të Petre Shilegovit në vitin 2017, kompania “Limak” njoftoi se i kishte zgjidhur problemet me lejet dhe në shtator 2018 filluan punimet ndërtimore.

Në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2021, Shilegov prezantoi projektet për rrethrrotullimet dhe premtoi nisjen e procedurave pas zgjedhjeve, por me ardhjen në krye të qytetit të Danella Arsovskës në të njëjtin vit, projekti mbeti i pandryshuar.

Sipas “Limak”, ndërtimi i rrugës nën tokë është pothuajse në përfundim, por nuk ka pasur asnjë aktivitet nga ana e Qytetit të Shkupit për pjesën që i takon atij.

Rruga nën tokë pritet të ketë 746 metra gjatësi, 37 metra gjerësi, me dy korsi trafiku dhe korsi ndihmëse në të dy drejtimet, si dhe dy linja tramvaji në mes.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com