Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, muajin e kaluar, përmes një bisede telefonike, i bëri thirrje princit të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, që vendi i tij t’i normalizojë marrëdhëniet me Izraelin pas nënshkrimit të paktit për armëpushim në Gaza më 9 tetor, raportoi mediumi “Axios”, duke cituar dy zyrtarë amerikanë.

Sipas këtij mediumi, telefonata mes dy udhëheqësve u zhvillua pas Konferencës së Paqes në Sharm El Sheikh më 13 tetor, ku Trumpi dhe udhëheqës të tjerë të vendeve ndërmjetësuese, Turqia, Katari e Egjipti, nënshkruan një deklaratë për planin e paqes në Gaza, transmeton gazeta “The Times of Israel”.

Gjatë telefonatës, Trumpi tha se ai kishte shënuar sukses për përfundimin e luftës në Gaza dhe priste që Arabia Saudite të lëvizte drejt lidhjeve të plota diplomatike me Izraelin, sipas zyrtarit amerikan të cituar nga mediumi “Axios”. Në anën tjetër, Bin Salmami tha se është i gatshëm që të punojë me Shtëpinë e Bardhë për këtë çështje, sipas zyrtarit.

Normalizimi i raporteve mes Arabisë Saudite dhe Izraelit, që dukej se ishte në lojë para se të niste lufta në Gaza, kohëve të fundit ka ngecur për shkak të këmbënguljes së Riadit që Izraeli të zotohet për pranimin e shtetësisë palestineze, gjë që kundërshtohet nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Një zyrtar i lartë amerikan, i cituar nga mediumi “Axios”, tha: “Porosia jonë për sauditët është: Ne i bëmë të gjitha gjërat që ju na i kërkuat. Tani, ka gjëra që presidenti Donald Trump i dëshiron, si normalizimi me Izraelin. Pra, si do të lëvizni ju tani në këtë drejtim?”

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com