Qani Shabani

Deklaratat e Vehbi Kajtazit në” VV Show” i cili e quan një kryeministër në detyrë “hajn” e “kryehajn” në kontekstin e hetimeve për rezervat shtetërore dhe aktakuzës ndaj Rozeta Hajdarit, pa ekzistuar asnjë vendim i prerë gjykate, nuk janë gazetari dhe as analizë – janë shpifje të ulëta të maskuara si “investigim”. Një gazetar që merr guximin të shpallë dikë fajtor pa folur drejtësia, e përdor profesionin si mjet linçimi dhe manipulimi, jo si instrument të së vërtetës.

Në vend që të ruajë standardet minimale të etikës profesionale, Kajtazi ka zgjedhur fjalorin e rrugës. Të quash “hajn” dikë pa asnjë vendim fajësie është akt i ulët që e shndërron gazetarin në prokuror, gjykatës dhe ekzekutor njëkohësisht. Ky është abuzim i hapur me mikrofonin dhe me besimin e publikut.

Në një shtet demokratik, fajësia nuk shpallet nëpër studio televizive. Nuk shpallet nga gazetarë të irrituar që e orienton opinioni sipas simpative dhe urrejtjeve personale. Fajësia vërtetohet vetëm në gjykatë, mbi prova, jo mbi emocione dhe ndjenja personale. Çdo deklaratë tjetër është thjesht shpifje e turpshme që synon diskreditim politik.

Kajtazi shkon edhe më larg: e keqpërdor një aktakuzë që rëndon mbi një person tjetër – Rozeta Hajdarin – për t’i veshur fajësi kryeministrit, pa prova, pa logjikë juridike dhe pa asnjë bazë ligjore. Kjo është manipulim i pastër. Asnjë aktakuzë ndaj një individi s’mund të përdoret si provë për fajësinë e një personi që nuk figuron fare në atë dokument.

Për më tepër, një deklaratë e tillë jo vetëm cenon reputacionin e një zyrtari publik, por rrezikon të polarizojë opinionin publik dhe të nxisë tensione politike të panevojshme. Në vend që gazetaria të jetë mjet informimi dhe arsyetimi, ajo shndërrohet në propagandë, në shërbim të sulmeve personale dhe intrigave politike.

Kajtazi nuk është analist që lexon dhe interpreton dokumente juridike; ai është njeri që ndërton narrativa spekulative dhe i paketojnë si “të vërteta të pakontestueshme”. Kjo sjellje është e rrezikshme për publikun, e dëmshme për informimin e drejtë dhe e padinjitetshme për profesionin e gazetarit.

Gazetaria e vërtetë kërkon përgjegjësi, etikë dhe respekt për parimin e prezumimit të pafajësisë – jo sharje, jo stigmë, jo gjuhë linçuese. Kur një gazetar i shkel këto parime, ai nuk është më roje e demokracisë, por bëhet propagandist që ushqehet me spektakël, konflikt dhe kaos.

Është e lehtë të thuash “hajn”. Është e vështirë të sjellësh prova. Kajtazi ka zgjedhur rrugën e lehtë – rrugën më të ulët. Dhe pikërisht kjo e bën deklaratën e tij të pavlerë, të pabazë dhe të padenjë për një profesionist të medias.

Shtesa më shqetësuese është se veprime të tilla nuk ndikojnë vetëm në opinionin publik afatshkurtër, por krijojnë precedent të rrezikshëm për të ardhmen, ku shpifjet mund të përdoren si mjet presioni politik mbi çdo zyrtar publik. Një shoqëri demokratike kërkon që gazetaria të mbrojë të vërtetën, të ruajë integritetin e institucioneve dhe të ndihmojë qytetarët të kuptojnë realitetin, jo të ushqehet me urrejtje, spekulime dhe akuzime të pabaza

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com