Mbrëmë, Elche dhe Real Madrid u ndanë në barazim 2-2 në ndeshjen e xhiros së 13-të të La Ligas.

Në shikim të parë, shumëkush do ta quante këtë një hap të gabuar të Realit në garën për titull, por ata që e ndoqën ndeshjen panë sërish dy vendime të dyshimta në favor të madrilenëve.

Elche kaloi në epërsi në minutën e 52-të me golin e Febas. Por fundi i ndeshjes solli dramë të vërtetë. Reali barazoi në minutën e 78-të me anë të Huijsen, megjithatë goli ngjalli shumë polemika.


Mediat spanjolle raportuan se para golit, Bellingham i dha asistin shokut të skuadrës me dorë, por pavarësisht ndërhyrjes së mundshme të VAR-it, goli u pranua.

Elche rimori epërsinë në minutën e 84-të me golin e Rodriguez, por vetëm tre minuta më vonë shpërtheu një tjetër situatë e kontestuar.

Gjatë një skene të ngjeshur në zonën e vendasve, Vinicius dukshëm faulloi portierin Inaki Pena, madje i shkaktoi edhe gjakderdhje në hundë, por loja vazhdoi dhe Bellingham shënoi golin e barazimit. As kësaj radhe VAR nuk ndërhyri.

Gazeta spanjolle Marca, e njohur si e afërt me Real Madridin, pranoi pas ndeshjes se ndërhyrja ndaj Penës ishte faull i qartë.

Reali tashmë ka barazuar dy ndeshje radhazi, përfshirë atë të javës së kaluar kundër Rayo Vallecanos, dhe Barcelona është afruar në vetëm një pikë diferencë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com