Gjiganti i La Ligës, Real Madrid, është lidhur këtë javë me atë që mund të bëhet një nga shkëmbimet më të bujshme të lojtarëve në historinë e futbollit.
Sipas raportimeve, Rodrygo mund të transferohet në Premierligë te Liverpool, në këmbim të Florian Wirtz.
Si Rodrygo, ashtu edhe Wirtz, po kalojnë fillime të vështira në këtë sezon të ri.
Në rastin e brazilianit, forma e tij e paqëndrueshme ka bërë që ai të ketë vetëm tre paraqitje si titullar në të gjitha garat. Që nga sezoni i kaluar, ai nuk ka arritur të shënojë gol në 28 ndeshje radhazi.
Nga ana tjetër, talenti gjerman Wirtz po has vështirësi në përshtatjen me futbollin anglez. Edhe pse ka luajtur rregullisht nën drejtimin e trajnerit Arne Slot, niveli i performancave të tij me fanellën e Liverpoolit ka qenë nën pritshmëritë.
Këto vështirësi kanë bërë që këtë javë të qarkullojnë lajme për një shkëmbim të mundshëm mes dy lojtarëve.
Sipas “Fichajes”, që citon “Defensa Central”, meqë Wirtz zhvilloi futbollin më të mirë të karrierës së tij nën drejtimin e Xabi Alonsos, gjermani mund të tundohet nga një kalim te Real Madrid.
Liverpooli, ndërkohë, që po kërkon përforcime në krahët e sulmit, është lidhur prej kohësh me Rodrygon.
Edhe pse një marrëveshje e tillë mbetet ende shumë e vështirë për t’u realizuar, nëse forma e dy lojtarëve nuk përmirësohet së shpejti, ajo mund të shndërrohet në një opsion real.
Vlen të theksohet gjithashtu se, përveç Rodrygos, Real Madrid do të duhej me shumë gjasë të paguante edhe një shumë të konsiderueshme parash për të siguruar Florian Wirtz nga Liverpooli.