Deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti mbrëmë në emisionin “Debat në Shenja” ka folur për zhvillimet rreth brenda Aleancës Kombëtare për Integrim reformat e paralajmëruar të BDI-së me figura të reja. I pyetur rreth dy mbledhjeve përgatitore të mbajtur në Reçicë, Bexheti tha se kanë qenë mbledhje të zakonshme dhe në funksion të kongresit që do të mbahet më 20 dhjetor, ku presin që të dalë më e mira nga ai kongres. Përndryshe, i pyetur se nëse ka ambicie për të qenë Sekretar Organizativ dhe pjesë e kryesisë ai deklaroi se të gjithë do të kontribuojnë në BDI, nëse mbetet edhe vetëm si anëtar në BDI.
Blerim Bexheti, deputeti i BDI-së dhe sekretari organizativ
“Ka ardhur koha që në këtë kongres edhe të ketë ndoshta për herë trë parë në një kongres ku do të ketë ndryshime edhe më të mëdhaja kadrovike, pasiqë për ne janë shumë me rëndësi edhe orientimet programore por edhe njerëzit të cilët do të dinë ta realizojnë atë përcaktim programor. A është e rëndësishme a do të jem unë apo sdo të jem unë, kjo është më pak e rëndësishme. A do të jetë ndonjëri nga kolegët e mi, a zdo të jetë, është shumë më pak e rëndësishme, të gjithë dojnë më të mirën dhe të gjithë janë të vetëdijshëm për situatën në shtet dhe regresin që po ndodh në çdo sferë të jetës”.
Ndërkaq sa i përket kallëzimit penal që u ngrit ditë më parë kundër Blerim Bexhetit, i njëjti në emision tha se kjo është një tendencë, që sipas tij është bërë më porosi të Izet Mexhiti deri tek Hristijan Mickoski. Po ashtu sa i përket deklaratave të zv/kryeministrit Arben Fetai se janë në negociata me disa deputetë të opozitës që t’ju bashkëngjiten atyre, Bexheti tha se këtë qeveri e ndjek kompleksi i mospasjes së legjitimitetit etnik. Ai po ashtu kritikoi edhe këtë qeverisje për gjatë dy viteve duke thënë se po i tregojnë dështimet e tyre.
Blerim Bexheti, deputeti i BDI-së dhe sekretari organizativ
“Ata dy vite po i bëjnë që qeverisin, dy vite ata dalin flasin ç’do ditë për dështimet e veta duke u thirë në alibi se nga pushteti i kaluar. Dy vite ata menaxhojnë me buxhetin e shtetit, dy vite ata udhëheqin institucionet, dy vite nuk ka asnjë progres në asnjë lëmi, dy vite është folur për cënimin e ligjit për gjuhën shqipe në gjykatën kushtetuese, dy vite ky shtet po funksionon pa balansues, dy vite nuk ka asnjë lëvizje në procesin integrues”.
Tutje Bexheti shtoi se edhe pas zgjedhjeve lokale ata ndihen inferiorë ngase për këshill kanë 23 mijë vota më pak. Ai tha se BDI dhe Ahmeti dinë të dëgjojnë zërin e qytetarëve, ndaj dhe për këtë shkak i kanë fituar zgjedhjet ndër vite.//SHENJA