“Puthje” – ky ka qenë mesazhi i fundit që Milena Dalmacija ia kishte dërguar nënës së saj. Një mesazh që sot, 13 vite më vonë, tingëllon sërish me dhimbje të re pas tragjedisë në Koçan.

Milena ishte fëmija i vetëm i profesorit të njohur, dr. Božo Dalmacija, dhe bashkëshortes së tij, profesoreshë e kimisë.

Ato mbrëmje të kobshme në vitin 2012, Milena ndodhej në diskotekën “Kontrast” me shoqërinë – por edhe me Renato Vukoviqin (21), student kimie nga Kikinda, me të cilin kishte disa muaj në lidhje.

Dashuria e tyre e re e bëri tragjedinë edhe më prekëse. Sipas dëshmive të atëhershme, Renato kishte mundur të shpëtonte – kishte dalë jashtë në minutat e para. Por ishte kthyer brenda, i vendosur ta gjente dhe ta nxirrte Milenën. Ajo ishte hera e fundit që dikush e pa të gjallë, shkruan “Ženski Magazin”.

“Asgjë nuk paralajmëronte tragjedi. Ishte një ditë e zakonshme e shtunë. Miqtë më lajmëruan për atë që kishte ndodhur, ndërsa vëllai im shkoi për identifikim,” kujton Milan Vasiq, kushëri i Milenës.

Në zjarr humbën jetën gjashtë të rinj – Milena, Renato, Marina Aniciq (25), Tamara Miladinoviq (25), Marko Pavloviq (29) dhe Zoran Ignjatoviq (28). Komuna e Kikindës shpalli Ditë Zie. Për Renaton, të gjithë flisnin si për një student shembullor, sportist dhe djalë me zemër të madhe.

Sot, teksa Maqedonia vajton viktimat e zjarrit në Koçan, opinioni është rikthyer te rasti “Kontrast”. E njëjta ndjenjë pafuqie, e njëjta pyetje pa përgjigje: si lejuam sërish që jetë të reja të humben?

Tragjeditë përsëriten – dhe dhimbja mbetet e njëjtë.

Prindërit e Milenës, të cilët mirëmbajnë profilin e saj, shpesh publikojnë këngë të grupit DNK, video nga performancat e tyre dhe lajme të lidhura me zjarrin në Koçan, duke treguar se dy ngjarjet tragjike i rikujtojnë familjeve – ashtu si edhe publikut – dhimbjen e pamatë për jetët e humbura shumë herët.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com