Nga Arian Galdini

Disa fjali dridhen si dritë mbi ujë, disa bien si gur. Një rrëfim i ditëve të fundit, nëse është i vërtetë, çan ndërgjegjen publike dhe e detyron shtetin të kalojë nga studioja te prova, ku “streha” provohet me protokoll, “dinjiteti” mbrohet me ligj.

Ky s’është rrëfim për skupe, klikime, flamuj e kampe, është provë karakteri për rendin tonë moral.

Grishtja që më shtyn ti shkruaj këto radhë, nuk lindi nga thashetheme, por nga një rrëfim i dhënë publikisht në intervista me shtrirje kombëtare, ku një e re, sot madhore, tregoi ç’kishte përjetuar kur ishte e mitur në një mjedis “strehimi”, gjatë tetëdhjetë e nëntë ditëve që i quajti traumë.

Më pas, subjekti i përmendur si “streha” e mohoi dhe kërkoi hetim zyrtar, duke e zhvendosur çështjen nga jehona e rrjeteve te verifikimi institucional.

Ky reflektim vjen prej këtij kontrasti, për të kërkuar qartësi, procedura dhe prova, për të folur për mbrojtje të të miturve, pa personalizim, pa emra të të akuzuarve, pa linçim.

Parim i mosakuzës.

Këtu nuk synoj të gjykoj persona, por kërkoj verifikim zyrtar.

Identiteti i askujt s’është mburojë a shënjestër, vetëm prova dhe vendimi i argumentuar vlejnë.

Mbrojtja për veprat e dyshuara kundër një të mituri mbetet detyrim edhe pasi ai/ajo është rritur, anonimati dhe qasja e ndjeshme ndaj traumës janë detyrim i përhershëm.

Korniza e mendimit vjen nga tradita që u jep institucioneve rol formues, jo skenografik.

Aristoteli e lidh të mirën me veprimin e virtytshëm, ndërsa Akvini e sheh ligjin natyror si busull të mbrojtjes së të pambrojturit, e Burke paralajmëron se njeriu zhvishet sapo thyhen nyjat e jetës së përbashkët, dhe Tocqueville e gjen lirinë të mbështetur te zakonet e mira, jo te spektakli.

Po në këtë udhë, shkruajnë edhe një brez mendimtarësh si Hazony, Deneen, Vermeule, Levin, ndërsa Scruton e mbylli me qartësinë e testamentit të vet, kujton se përgjegjësia dhe tradita e mbajnë rendin moral si shtylla çatinë.

Nëse rrëfimi është i vërtetë, para nesh ngrihen tre prova.

1) Prova juridike, shteti si shërbesë, jo si skenë

“Streha” nënkupton çdo shërbim rezidencial/emergjent të licencuar për të mitur, me manuale protokollesh, ndarje sipas moshës e riskut dhe kontroll të jashtëm periodik.

Rendi i së drejtës matet me prova, jo me zhurmë. Standard minimal:

Zinxhir i ruajtjes së provave i dokumentuar (mbledhje, dorëzim i sigurt, ruajtje pa cënuar integritetin, regjistër elektronik me vulë kohore).

Intervistë e vetme në Shtëpinë e Fëmijës (model Barnahus) si standard i rekomanduar ndërkombëtarisht dhe i adoptueshëm kontraktualisht në hetimet për fëmijë, me regjistrim audioviziv dhe ekip të integruar (prokuror-psikolog-mjek-polici-punonjës social).

Ndalim i ekspozimit mediatik të të miturve në çdo fazë.

Mbrojtje dëshmitari dhe akomodim i sigurt gjatë gjithë procedurës.

Raport prokurorie brenda 30 ditësh, i bazuar në prova, me rekomandime të mëtutjeshme.

Pronësia/kompetenca…

Prokuroria mban pronësinë e hetimit penal, Avokati i Popullit pronësinë e mbikëqyrjes së të drejtave, organi licencues (sipas rastit) pronësinë e pezullimit administrativ.

Çdo hallkë raporton në mënyrë të pavarur dhe të koordinuar.

Këto kërkesa përputhen me KEDNJ (nenet 3, 8, 13) dhe Konventën për të Drejtat e Fëmijës (parimi i interesit më të lartë të fëmijës).

Konventa e Lanzarote-s detyron parandalim, hetim dhe ndjekje të abuzimit seksual ndaj fëmijëve si edhe mbështetje të detyrueshme për viktimat, Konventa e Stambollit kërkon masa të menjëhershme mbrojtjeje kur ka element dhune.

Kornizë ligjore kombëtare. Nenet 110/a, 124/b, 128/a, 130/a, 293 të Kodit Penal; Ligji nr. 18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, dhe aktet për mekanizmat e referimit.

Detyra të menjëhershme, verifikim i afateve të parashkrimit për veprat ndaj të miturve dhe nisje “ex officio” sa herë ka bazë ligjore; urdhër ruajtjeje provash (preservation order) brenda 24 orësh, pezullim i licencës së strehës nëse mungon siguria procedurale, kallëzim penal “ex officio” kur konstatohet cenim i të miturit.

Një rend i shëndetshëm i provës s’e dëmton të vërtetën, e mbron nga ata që do ta përdornin si dekor.

Kjo është fryma e parimit të Blackstone-it, kur thotë se “më mirë të shpëtojnë dhjetë fajtorë sesa të dëmtohet një i pafajshëm”, parim që, paradoksalisht, i shërben pikërisht viktimës, sepse ruan integritetin e së vërtetës së saj.

2) Prova antropologjike, institucioni formon ose shkatërron

Mary Douglas flet për kufijtë që ruajnë trupin shoqëror, Victor Turner për fazat liminale ku fëmija s’duhet të lihet vetëm, René Girard për tundimin e sakrifikimit të të dobëtit.

Robert Putnam e quan kapital social rrjetin e imët të besimit që mban fëmijët, Jonathan Haidt tregon si rritet ankthi moral kur prishen normat e buta të afërsisë dhe të kufijve.

Përkthim praktik për funksionimin e qendrave të tilla si streha.

Duhet ndarje hapësirash sipas moshës dhe riskut, mbikëqyrje dy-personëshe, hyrje/dalje me regjistër elektronik, supervizion klinik mujor, screening vjetor etik dhe psikosocial i personelit me verifikim të së kaluarës penale para punësimit, audit i jashtëm gjashtëmujor për zbatimin e protokolleve, vizitë e papritur e Avokatit të Popullit çdo 60 ditë në strehat e referuara. Në një vend që e mban familjen në zemër, “familje” nuk është dekor, por strukturë mbrojtjeje.

3) Prova kulturore, liria pa të vërtetë kthehet në konsum.

Roger Scruton e quajti oikofili dashurinë për shtëpinë, një rend i brendshëm që mban nyjat e mirësjelljes dhe mbrojtjes.

Yuval Levin kërkon institucione që formojnë, jo dritare vetëshfaqjeje.

Mary Eberstadt, Louise Perry dhe Mary Harrington tregojnë me të dhëna se, kur seksualiteti shkëputet nga përgjegjësia, djemtë dhe vajzat pa zë dëmtohen të parët.

Liria nuk përplaset me familjen a me ligjin, lulëzon kur përqafohet me të vërtetën dhe mëshirën.

Nga këtu, një rrugë me afat të caktuar brendadisaditor mund të shërbejë si provë serioziteti, jo si formular:

Regjistrim dhe mbrojtje. Regjistrim zyrtar i çështjes; masa të menjëhershme sigurie për të miturin, ndalim kontakti i çdo të rrituri të përmendur derisa të vlerësohet rreziku.

Verifikim dhe pezullim. Inspektime të papritura nga organi licencues dhe Inspektorati Shtetëror, raport me konstatime, pezullim i përkohshëm i shërbimit kur mungon siguria procedurale, njoftim i Prokurorisë dhe kallëzim penal “ex officio” kur konstatohet cenim i të miturit.

Audit dhe raportim paraprak. Audit i pavarur organizativ e financiar, hetim i pavarur i organit mbikëqyrës, raport paraprak publik (me të dhëna të anonimizuara) dhe plan masash për çdo shkelje.

Përgjegjësi dhe transparencë. Raport i integruar publik (Prokuroria-Avokati i Popullit-KLSH) me masa korrigjuese, plan trajnimi detyrues dhe rikontroll pas 90 ditësh, mos­përditësimi i të dhënave ose mos­publikimi i raportit në afat → seancë dëgjimore në komisionin parlamentar përkatës brenda disa ditësh.

(Inventari publik,open data detyruese) Lista e strehave të licencuara dhe statusi i auditimeve të publikohen çdo muaj në një faqe të vetme open data (CSV/JSON), me indikatorë rezultati, përqindja e strehave të verifikuara/pezulluara/ri-licencuara brenda disa ditësh apo javësh.

Në zemër të çdo procedure rri njeriu që flet. Protokoll minimal, detyrues (qas­je e ndjeshme ndaj traumës), (1) “Një zë, një dhomë”, intervistë e vetme sipas modelit Barnahus, e regjistruar video, nga ekip i specializuar, (2) Mos e riprodho dhimbjen, ndalim i rikthimit të dëshmisë së të miturit a “rrëfimtarit edhe të rritur”, në media dhe në çdo zyrë tjetër, (3) Mbështetje brenda 24 orëve nga psikologu dhe juristi, (4) Vlerësim i rrezikut para çdo kontakti me të rritur kur kemi të bëjmë me të mitur, (5) Akomodim i sigurt me mbikëqyrje dy-personëshe gjatë gjithë procesit.

Media respekton ndalimin e identifikimit të të miturve të tjerë të mundshëm dhe rindërtimin e detajuar të traumës, shkeljet evidentohen nga AMA dhe monitorohen nga Avokati i Popullit.

Një zë fëmije nuk kërkon studio, kërkon dhomën ku dëgjohet një herë, me dyer të mbyllura dhe një dorë që shkruan, jo filmon.

Do të ketë zëra që e kthejnë temën në betejë kulturash.

Nuk është ky rasti.

Identiteti i askujt s’është as mburojë, as shënjestër.

Vetëm prova dhe vendimi i argumentuar e mbyllin hapësirën e manipulimit.

Kjo s’është thirrje për t’u ndarë, është ftesë për të bashkuar arsyen me mëshirën.

Në planin e kulturës civile, marrëdhënia me shtetin lexohet me një fjali të vetme, familja formon, ligji mbron, besa lidh.

Pa familje, ligji ftohet.
Pa ligj, familja dobësohet.
Pa besë, fjala humb peshë.

Rrëfimet e fëmijëve e kujtdo për çka ka pësuar në fëmijëri, nuk duhen kthyer në skenë, duhen pritur me protokoll dhe me zemër.

Fëmija e mituria nuk janë show as klikime e as flamur, janë jetë.

Nderi nuk matet me ekran, matet me akt.

Ekrani mbyllet, por akti mbetet.

Dhe fjala vlen vetëm sa vlen prova që e mban.

Në fund, nuk mbyllet me tronditje, por me kalendar dhe me akt.

Dritat e shpejta zbehen, raporti rri, vula mban, afati vlen, dhe ligji vepron.

Në atë klik të vogël metalik, fjala merr formën e saj të drejtë dhe jeta vazhdon nën mbrojtjen e së drejtës.

Shoqëria shqiptare meriton drejtësi dhe të vërtetën. Pikë.

Arian Galdini

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com