Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Sabriu, mori pjesë në Forumin e Sipërmarrësve Socialë të organizuar nga Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor (RYCO) në Shkup.

Qëllimi i këtij eventi ishte të inkurajohet bashkëpunimi për zhvillimin e sipërmarrjes sociale si nxitje për punësimin e të rinjve, për përforcimin e komunitetit dhe për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal përmes dialogut ndërkulturor.

Në fjalimin e tij drejtuar të pranishmëve, Sekretari Shtetëror, Sabriu, theksoi rëndësinë e sipërmarrjes sociale, e cila paraqet urë ndërlidhëse ndaj vizionit dhe realitetit. Rrugë përgjatë së cilës të rinjtë mund të krijojnë mundësitë e tyre, por edhe të lënë gjurmë të thellë në komunitet. Për të krijuar vlerë – jo vetëm ekonomike, por edhe shoqërore.

“Jemi krenarë që sot mund të ndajmë me ju se Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve ka hartuar një Propozim-Ligj për Ndërmarrjet Sociale, i cili këtë muaj do t’i dorëzohet Qeverisë, ndërkaq presim që ai të kalojë procedurën parlamentare dhe të miratohet në gjysmën e parë të 2026-ës. Qëllimi i këtij Ligji është të krijojë një kuadër ligjor, institucional dhe financiar për zhvillimin e ndërmarrjeve sociale — organizata që punojnë për të mirën sociale, jo për përfitim personal. Me këtë Ligj, Maqedonia e Veriut bën hap të guximshëm drejt: ekonomisë më të drejtë, shoqërisë gjithëpërfshirëse dhe të ardhmes së qëndrueshme për të gjithë — veçanërisht për të rinjtë” – theksoi Sabriu.

Forumi përfaqëson rrumbullakësim të aktiviteteve projektuese të Inkubatorit Rajonal për Sipërmarrësit Socialë (RISE), të mbështetura nga Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD), Bashkimi Evropian, Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor (RYCO) dhe Zyra Franko-Gjermane për të Rinjtë (FGYO). Morën pjesë përfaqësues të institucioneve, të ambasadave, të organizatave të shoqërisë civile, të sektorit privat dhe sipërmarrës të rinj socialë.

Kreu i zyrës së RYCO-s në Shkup, Vlladimir Gjorgjevski, theksoi se përgjatë 5 viteve të fundit, programi “RISE” ka përfshirë më shumë se 850 të rinj dhe 136 ekipe, nga të cilët 72 ekipe morën grante prej 2,500 eurosh, ndërkaq 135 sipërmarrës të rinj morën grante për mobilitet rajonal prej 500 eurosh. Tutje, u zbatuan një numër i madh trajnimesh, kampesh trajnimi, seancash mentorimi dhe sesione mësimore, punëtorish lokale dhe ngjarjesh konkurruese për përzgjedhjen e planeve më të mira të biznesit. Numër i madh ekspertësh dhe inkubatorësh lokalë – organizata me përvojë u përfshinë në mbështetjen e sipërmarrësve të rinj.

“RYCO mbetet fuqimisht e përkushtuar në avancimin e mundësisë ekonomike të të rinjve dhe tashmë ka plane ambicioze rajonale për krijimin e mundësive të reja, që të mund të qëndrojnë, të inovojnë dhe të përparojnë në rajonin e tyre të lindjes” – potencoi Gjorgjevski.

Zëvendësambasadori i BE-së në vend, Ben Nipnau, theksoi: “Ne besojmë fuqimisht se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe e Maqedonisë së Veriut varet nga të rinjtë e saj dhe nga mbështetja dhe inkurajimi i këtyre të rinjve. Sipërmarrja sociale është një mënyrë, por një mënyrë e fuqishme dhe e qëndrueshme për Ju – të rinjtë e rajonit – që të bëheni agjentë të ndryshimit, të inovacionit dhe të përfshirjes”.

Ambasadori francez Kristof Le Rigoler kujtoi se “RISE” është projekti i parë i mbështetur nga Agjencia Franceze e Zhvillimit dhe e potencoi vizionin për zhvillim të përbashkët të Francës dhe të Ballkanit Perëndimor, në të cilin sipërmarrësit e rinj luajnë rol të rëndësishëm.

“Le të përpiqemi të gjithë bashkërisht ta ruajmë sa më gjatë të jetë e mundur dinamikën e krijuar nga programi “RISE” dhe nga RISE-rët” – tha Le Rigoler.

Ambasadorja gjermane znj. Petra Dreksler theksoi: “Si ambasadorë të vendeve tona, ne jemi këtu për t’i jetësuar mundësitë e bashkëpunimit, për ta njohur potencialin dhe për të punuar drejt realizimit të qëllimeve të përbashkëta. Dhe për këtë, Ju nevojitet pak inkurajim herë pas here. Andaj, është mirë të shoqëroheni nga shumë njerëz të tjerë në rrugëtimin e tillë. Mendoj se sipërmarrja sociale dëshmoi se është e mundur të kombinosh kreativitetin me përgjegjësinë, që të krijohet besueshmëri e përbashkët se mund të jenë të suksesshëm dhe njëkohësisht, të keni rol të rëndësishëm në shoqëri”.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com