Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, ka reaguar ndaj mënyrës së interpretimit të rezultateve të zgjedhjeve lokale nga kryetari i Butelit Darko Kostovski, i cili fitoret dhe humbjet në komuna i lidhi me përkatësinë etnike të votuesve.

Sejdiu theksoi se një logjikë e tillë krijon ndasi të panevojshme dhe nuk i shërben asnjë komuniteti.

“Nëse rezultatet e zgjedhjeve nëpër komuna matin ‘fitoret’ sipas përkatësisë etnike, siç po i interpreton kolegu Darko Kostovski, atëherë del se maqedonasit ‘e kanë kthyer’ Kërçovën, ndërsa ‘e kanë humbur’ Çashkën. Me të njëjtën logjikë, në zgjedhjet e ardhshme shqiptarët do të duhej të garonin për ta ‘marrë’ edhe Komunën e Butelit,” shkroi ai.

Sejdiu nënvizoi se ky këndvështrim është i gabuar dhe i dëmshëm.

“Kjo qasje nuk i shërben askujt dhe veçse krijon ndasi të panevojshme etnike. Komunat nuk janë pronë e asnjë etnie. Komunat u takojnë qytetarëve.”

Ai apeloi për fokus te funksionaliteti i institucioneve dhe bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve.

“Qëllimi ynë duhet të jetë krijimi i institucioneve funksionale, bashkëpunim dhe progres për të gjithë, pavarësisht se cilës etni i takojnë.”

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com