Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së ministres së Arsimit dhe Shkencës, znj. Vesna Janevska, e cila – sipas tyre – ka shfaqur mungesë respekti ndaj gjuhës shqipe në komunikimin publik dhe para mediave. Në reagimin e dërguar për mediat, Shoqata thekson se sjellje të tilla dëmtojnë frymën e bashkëjetesës dhe japin mesazhe të gabuara për gjeneratat e reja.
“Sjellja e ministres Janevska para gazetarëve dhe opinionit publik, në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe në jetën publike, është tregues i gjendjes shpirtërore të njerëzve që duhet të jenë shembull për nxënës, studentë dhe punëtorë shkencorë. Në këtë mënyrë, drejtpërdrejt cënohet e drejta ligjore e kryetarit Kasami për përdorimin e gjuhës shqipe. Fatkeqësisht, me sjellje të tilla të mos-tolerancës etnike, ne u dërgojmë gjeneratave të reja sinjale konfliktuoze dhe diskriminuese”, thuhet në reagim.
Shoqata kujton se parimet e barazisë kanë rrënjë të thella në historinë e shoqërive demokratike dhe se barazia fillon nga gjuha. “Parimet e barazisë kanë burimin nga Revolucioni i Madh Borgjez në Francë më 1789, dhe që atëherë kanë qenë bazament i shoqërive të lira. Gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por identitet, kujtesë dhe shenjë e dinjitetit kolektiv”, thuhet në deklaratë. Sipas Akademisë, ndonëse gjuha shqipe ka status zyrtar, në praktikë ajo shpesh mbetet vetëm “formalisht e pranuar”, por jo funksionale.
“Një shqyrtim i kujdesshëm i praktikës administrative dhe publike tregon një realitet tjetër – gjuha shqipe shpesh mbetet zgjidhje formale, jo funksionale. Shumë juristë e politikanë flasin për zbatimin e ligjit, por rrallë pyesin: si zbatohet? ku zbatohet? pse nuk zbatohet njësoj?”, thekson Shoqata, duke shtuar se kjo situatë është pasojë e “arkitekturës kushtetuese dhe ligjore të ndërtuar me qëllim kufizimi”, që mban ende gjurmë të politikave nacionaliste të periudhës së tranzicionit.
Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art kërkon rikthimin e standardeve të barazisë gjuhësore që ishin garantuar me Kushtetutën e vitit 1974. “Neni 178 i Kushtetutës së vitit 1974 garantonte çdo kombësie të drejtën për përdorim të lirë të gjuhës dhe zhvillimin e kulturës së saj, bashkë me institucionet përkatëse. Ai përfaqësonte një koncept të barazisë reale, jo të përdorimit të kufizuar apo të shkallëzuar. Madje, barazia përfshinte edhe organizatat e punës, që sot njihen si biznese – një aspekt që Kushtetuta aktuale nuk e siguron”, thuhet në reagim. Shoqata thekson se çështja e gjuhës dhe sjellja e ministres Janevska nuk janë vetëm problem juridik, por edhe moral, politik dhe kulturor.
“Ato janë pasqyrë e një fryme politike të vjetër dhe të dështuar, që partia në pushtet e ka bartur ndër vite. Inkurajojmë klasën politike shqiptare që në Kuvend të hapë çështjen e barazisë së vërtetë gjuhësore, jo thjesht të reformulojë ligjin ekzistues. Sot, vetëm shqiptarët nuk duhet dhe nuk ka arsye të shkruajnë dy herë të njëjtin tekst – një herë në shqip e një herë në maqedonisht. Kjo është diskriminim i heshtur”, theksohet në reagim.