Shtetet e Bashkuara kanë qarkulluar draftin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të ofrojë një mandat për një forcë ndërkombëtare stabilizimi në Gazë për të paktën dy vjet, duke shënuar hapin tjetër në planin e presidentit Donald Trump për të ndaluar dy vjet luftë midis Izraelit dhe Hamasit.
Drafti, i konfirmuar për Associated Press nga dy zyrtarë amerikanë, është një model i hershëm për ato që pritet të jenë negociata të gjera midis anëtarëve të këshillit prej 15 anëtarësh dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Zyrtarët, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së situatës, kanë thënë se drafti po diskutohet dhe ndryshohet bazuar në këto diskutime.
Vendet arabe dhe vendet e tjera që kanë shprehur interes për të marrë pjesë në forcën e stabilizimit kanë treguar se mbështetja e OKB-së për planin është e nevojshme për t’i bindur ata të kontribuojnë me trupa.
“Ajo që ne besojmë është se çdo entitet që krijohet në Gazë duhet të ketë legjitimitetin e një mandati nga Këshilli i Sigurimit”, u ka thënë sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, gazetarëve në Doha.
Drafti ka qarkulluar të martën pasdite dhe është përgatitur si një pikënisje për të gjetur konsensus që do t’i jepte forcës së stabilizimit dhe vendeve pjesëmarrëse një mandat ndërkombëtar.
Kina dhe Rusia – dy nga anëtarët e përhershëm të këshillit ka të ngjarë të bëhen opozita më e madhe për SHBA-në, ndërsa ajo përpiqet të shtyjë përpara një rezolutë pa e vënë veton asnjëri vend.
Drafti kërkon që forca të sigurojë “procesin e demilitarizimit të Rripit të Gazës” dhe “çmontimin e përhershëm të armëve nga grupet e armatosura jo-shtetërore”.
Një pyetje e madhe në planin 20-hapësh të Trumpit për një armëpushim dhe rindërtim në territor është mënyra e çarmatosjes së Hamasit, i cili nuk e ka pranuar plotësisht këtë hap.
Drafti do t’u jepte vendeve që marrin pjesë në forcën e stabilizimit një mandat të gjerë për të ofruar siguri në Gaza deri në fund të vitit 2027, duke punuar me një “Bord Paqeje” që ende nuk është krijuar dhe që do të qeveriste përkohësisht territorin. Drafti kërkon që forca të konsultohet dhe të bashkëpunojë ngushtë me Egjiptin dhe Izraelin.