Shoku i Michael Schumacherit jep detaje emocionuese nga shëndeti i tij: Më duket se nuk do ta shohim përsëri

Ish-shefi i “Red Bull”, Richard Hopkins, ka dhënë një përditësim mbi gjendjen shëndetësore të Michael Schumacherit dhe ka shpjeguar pse beson se publiku nuk do ta shohë më kurrë legjendën e Formulës 1.

Shëndeti i Schumacherit është mbajtur privat që nga momenti kur shtatë herë kampioni i botës pësoi një dëmtim në kokë gjatë një aksidenti me ski në dhjetor të vitit 2013.

Shëndeti i Schumacherit ka qëndruar larg syrit të publikut që kur 56-vjeçari u vendos në koma të induktuar mjekësisht pak pas aksidentit, gati 12 vite më parë.

Hopkins ishte shef i operacioneve gjatë kohës së tij te “Red Bull” dhe krijoi një miqësi të ngushtë me Schumacherin gjatë periudhës kur ai garonte në F1.

Hopkins pranoi nevojën për të ruajtur privatësinë rreth gjendjes së Schumacherit, ndërsa bëri edhe një deklaratë të trishtë për ish-pilotin.

“Nuk kam dëgjuar asgjë së fundmi. E kuptoj që ai ka një mjek finlandez, një mjek personal,” tha Hopkins në një intervistë të fundit për “Sportbible”.

“Nuk mendoj se do ta shohim më Michaelin. Ndihem paksa në siklet duke folur për gjendjen e tij për shkak se familja, për arsye të drejta, dëshiron ta mbajë atë sekret. Kështu që unë mund të bëj një koment, të kem një mendim, por nuk jam në atë rreth të brendshëm. Nuk jam Jean Todt (ish-drejtuesi i Ferrarit), nuk jam Ross Brawn (ish-drejtori teknik i Ferrarit), nuk jam Gerhard Berger, të cilët e vizitojnë Michaelin. Jam larg atij rrethi.”

Hopkins u bë mik me Schumacherin gjatë viteve të ’90-ta, kur ai punonte fillimisht te “McLaren” përpara se të merrte një rol drejtues te “Red Bull”.

Ai pranoi se nuk është pjesë e rrethit të afërt të Schumacherit dhe se privatësia mbi gjendjen e ikonës së F1 duhet të respektohet.

“Nuk mund të them që jam miku më i ngushtë i Jean Todt, apo Ross, apo Gerhard,” tha Hopkins.

“Besoj se edhe nëse do të ishe miku më i mirë i Ross Brawn dhe e pyesje si është Michael, edhe nëse do ta ofronte dikush me shumë verë të mirë të kuqe, nuk mendoj se ai do të fliste. Mendoj se ka një respekt të tillë nga kushdo që shkon të vizitojë Michael-in që të mos ndajë asgjë. Ashtu dëshiron familja të jetë. Dhe mendoj se kjo është e drejtë dhe respektuese ndaj familjes. Edhe sikur të dija diçka, familja do të zhgënjehej nëse do ta ndaja”, përfundoi ai.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com