Shqipëria dhe Italia kanë nënshkruar një marrëveshje historike që hap rrugën për ndërtimin e anijeve ushtarake dhe civile në bazën detare të Pashalimanit. Projekti zhvillohet përmes krijimit të një kompanie të përbashkët mes KAYO-s shqiptare dhe gjigantit italian Finkantieri, një prej prodhuesve më të mëdhenj të anijeve në botë.

Shqipëria do të vërë në dispozicion kantierin e Pashalimanit në qytetin e Vlorës, i cili do të modernizohet plotësisht, ndërsa Italia do të sjellë teknologjinë, dizajnin dhe ekspertizën e nevojshme.

Në fazën e parë, kompania e përbashkët pritet të ndërtojë të paktën shtatë anije për Forcat Detare Shqiptare, ndërsa më vonë synohet prodhimi i anijeve deri në 80 metra me 800 ton zhvendosje të destinuara edhe për eksport.

Kompania Finkantieri do të marrë përsipër drejtimin e projektit si kontraktori kryesor, ndërsa ndërtimi i tyre do të realizohet nga kompania e përbashkët në Shqipëri. Projekti përfshin gjithashtu trajnimin e inxhinierëve dhe punëtorëve shqiptarë, duke krijuar kapacitete vendore për industrinë navale dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Konkretizimi i këtij bashkëpunimi do të forcojë zinxhirin e furnizimit ushtarak detar, nxit zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor si dhe hap perspektiva të reja për rritje ndërkombëtare.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume