Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, me homologun e tij italian Guido Kroseto, sot në Romë, në një prononcim për mediat shqiptare, ka bërë të ditur se Shqipëria dhe Italia do të bashkëpunojnë në prodhimtarinë e 7 anijeve ushtarake në ish bazën ushtarake, Pashaliman, pranë qytetit bregdetar Vlorë.
“Nga 16 marrëveshje të nënshkruara në Itali, tetë lidhen me fushën e mbrojtjes, industrinë ushtarake dhe mbrojtjen civile. Kemi marrëveshjen e parë në tre dekada, hera e parë që po rinovojmë partneritetin ushtarak me Italinë për shumë arsye. Brenda NATO-s, për industrinë ushtarake, duam të jemi fokusi i të dyja anëve të bregdetit Adriatik”, tha ai, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, ATA.
Vengu theksoi se “kemi dy marrëveshje gjigande që nënshkruhen mes dy kompanive shtetërore, KAYO dhe Fincantieri italian për prodhimin e anijeve ushtarake.
“Ai pohoi se kompania shtetërore “KAYO”, e cila është përgjegjëse për prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake sipas një kontrate me kompaninë italiane, “Fincantieri”, do të prodhojë 7 anije ushtarake. Një marrëveshje tjetër është nënshkruar mes “KAYO”-s dhe kompanisë italiane “Leonardo”, e specializuar për teknologji ushtarake dhe mbrojtje kibernetike”, theksoi ai.
Sipas tij Italia do të asistojë palën shqiptare edhe për përmirësimin e kapaciteteve të Mbrojtjes Civile.