Është arrestuar nga policia e Tiranës me qëllim ekstadimin e tij drejt Maqedonisë së Veriut një shtetas 36-vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për falsifikim të monedhave.
Në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 73”, është arrestuar shtetasi N. S., 36 vjeç, lindur në Maqedoninë e Veriut.
Sipas raportimeve, 36-vjeçari ishte shpallur gjithashtu në kërkim edhe nga DVP Durrës, për veprën penale “Vjedhja”.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Themelore e Kumanovës e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet e Maqedonisë së Veriut, do të kryejë procedurat për ekstradimin e 36-vjeçarit.