Siria do t’i bashkohet koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të luftuar grupin ISIS, njoftoi të hënën administrata amerikane pas një takimi historik midis Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit sirian Ahmad al-Sharaa në Shtëpinë e Bardhë, vizita e parë ndonjëherë e një presidenti sirian në SHBA.
Një zyrtar i lartë i administratës Trump tha se ky vendim shënon një kthesë të madhe në politikën e jashtme të SHBA-së në Lindjen e Mesme, pasi përfshin Sirinë si vendin e 90-të në koalicionin global kundër Shtetit Islamik.
Pas takimit, Uashingtoni njoftoi masa për lehtësimin e kufizimeve ekonomike ndaj Sirisë, përfshirë pezullimin 180-ditor të Aktit të Cezarit, i cili që nga viti 2019 kishte sanksionuar ish-qeverinë siriane.
Po ashtu, Departamenti i Thesarit, i Shtetit dhe i Tregtisë pritet të ofrojnë udhëzime të reja për investitorët që synojnë tregun sirian.
Trump deklaroi se dëshiron “ta shohë Sirinë të bëhet një vend shumë i suksesshëm” dhe shtoi se “ky udhëheqës mund ta bëjë këtë”.
Takimi shënon rinisjen e marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Sirisë, të pezulluara që prej vitit 2012. Si pjesë e marrëveshjes, Sirisë do t’i lejohet të rihapë ambasadën e saj në Uashington.
Ky ishte takimi i tretë midis dy liderëve, pas takimeve në maj gjatë Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit dhe në shtator gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, por i pari në tokë amerikane.
Presidenti sirian al-Sharaa, i cili dikur udhëhiqte grupin Hayat Tahrir al-Sham, të lidhur me Al-Kaedën, u hoq nga lista amerikane e terroristëve globalë vetëm javën e kaluar, pas emërimit të tij si president i përkohshëm i Sirisë.