Kur një institucion fetar ngatërron parimet me propagandën, ai nuk rrezikon vetëm reputacionin e vet, por fatin e mijëra besimtarëve. Një shkrim i papërgjegjshëm, i maskuar si “qëndrim zyrtar, mjaftoi që të vie në rrezik Haxhin për vitit 2026 për haxhilerët nga RMV. Dhe kur një gafë retorike kthehet në katastrofë shpirtërore, atëherë çështja nuk është më gabim, por, është tradhti ndaj besimtarëve

Nga Mr. Eset Shaqiri, teolog

Është e pabesueshme se si institucionet fetare, të cilat në parim duhet të jenë hapësira të moralit, urtësisë dhe maturisë, lejojnë të shndërrohen edhe në podiume të aventurave personale, në tribuna të analfabetizmit funksional dhe në instrumente të rrezikshme që cenojnë marrëdhëniet ndërkombëtare të një shteti.
Në numrin 409 të gazetës “Hëna e Re”, organ i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, u botua një shkrim i kryeredaktorit të saj, personalitet ky që, për nga pozita, flet në emër të institucionit, në të cilin shkrim Amerika akuzohet hapur se, duke e ndihmuar Izraelin, po ushtron gjenocid, ndërsa mediat amerikane, britanike, ato të Bashkimit Evropian dhe disa televizione të Gjirit, në veçanti ato të Arabisë Saudite, “qenkëshin të kontrolluara nga sionistët” dhe po e heshtnin “masakrën” në Palestinë. Kulmi arriti te deklarata se në Arabinë Saudite “na qenka ndaluar edhe lutja në Qabe për Palestinën”, një trillim i pastër, sa i trashë aq edhe i rrezikshëm.
Ky shkrim nuk ishte një rrëshqitje e zakonshme profesionale. Ishte ose një akt rebelimi kundër drejtuesve të Rijasetit, të cilët, për çudi, nuk u kujtuan të bëjnë as lutjen më të thjeshtë zyrtare për Palestinën (siç bënë për Ukrainën), ose ishte një test i vogël që i bëhej vetë Shaqir Fetait për “lirinë e fjalës”, liri për të cilën ai ka ndërtuar një narrativë hipokrite që e përdor si dekor morali kur i leverdis, por që e shtyp barbarisht kur cenon rehatinë dhe interesat e tij. Problemi është se ky “zë editorial” nuk fliste më në emër të një individi, por në emër të një institucioni që, në këtë shtet, fatkeqësisht, ka peshë politike, diplomatike dhe shoqërore.
Pas këtij skandali, përflitet se u zhvillua takimi urgjent midis kryeparlamentarit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, dhe ambasadorit të Arabisë Saudite me seli në Tiranë. Ambasadori, me të drejtë, kërkoi sqarim nëse qëndrimet zyrtare të BFI-së të botuar në “Hënën e Re” përfaqësonin edhe qëndrimin zyrtar të shtetit të Maqedonisë së Veriut, një pyetje që nuk do të duhej të shtrohej kurrë, sikur institucionet tona fetare të mos ishin të kapura nga aventurierë, hallvaxhinj politikë dhe njerëz që e kanë shndërruar fenë në monopol personal. Reagimi i Arabisë Saudite ishte i menjëhershëm: kërkuan takim urgjent me Shaqir Fetain në Ambasadën saudite në Tiranë, të cilin takim ky e quan “takim konstruktiv”, thuase Ambasada Saudite organizon edhe “takime destruktive”! Në këtë takim Shaqir Fetait iu komunikua pa ekuivok: kërkim falje publike, dorëheqja e kryeredaktorit, ndërprerja e të gjitha marrëveshjeve humanitare për Ramazanin, anulimi i vizitës së Ministrit të Vakëfeve, anulimi i ardhjes së Imamit të Qabes për Ramazan dhe, si goditje finale, vënia në pikëpyetje e Haxhit 2026 për Maqedoninë e Veriut. Kjo nuk është thjesht një lëvizje diplomatike; është një shuplakë morale për një institucion që, prej vitesh, sillet si firmë private e Shaqir Fetait, jo si autoritet fetar i një komuniteti të madh.
Çfarë bëri Fetai pas kësaj fushate turpi? Asgjë që kërkon burrëri. Nuk kërkoi falje publike, thjesht, e tërhoqi nga qarkullimi numrin 409 dhe e ribotoi pa shkrimin skandaloz. Kryeredaktorit nuk iu kërkua llogari; iu kërkua ikja në pushim vjetor dhe vetëm ndërrimi i vendit të punës, një teknikë e vjetër për të shpëtuar fytyrën, për të mbuluar gjurmët, për të krijuar iluzionin se “struktura reagoi”. Në vend që të dalë para opinionit, para xhematit, para institucioneve dhe të korrigjojë moralin, ai zgjodhi të korrigjojë vetëm faqosjen e gazetës.
Dhe pasi i mbeti turpi në dorë, Shaqir Fetai vazhdon të kërkojë konferenca, jo këtu, në vend, ku kemi mbi 200 xhami jashtë kontrollit të tij, dhjetëra xhami private, “komunitete islamike” paralele të zyrtarizuara nga shteti, mosfunksionim total të institucioneve të vakëfit, por, në Zvicër, ku disa pulenë i organizojnë simpoziume për “xhami shqiptare në mërgim në shërbim të kombit, fesë dhe integrimit”. Nuk dinë se në çfarë shërbimi janë këta xhami private në Maqedoninë e Veriut dhe do ta dinë për ato të diasporës?! Ashiqare, një farsë e kotë. Një arratisje nga realiteti. Një përpjekje e radhës për të krijuar tymnajë jashtë vendit, ndërsa brenda vendit ka mungesë totale transparence, kontroll të rrëshqitur, strukturë të kapur dhe një institucion që funksionon si trupi pa kokë e pa organe jetike.
Sepse, në të vërtetë, pyetja e vetme që ka rëndësi sot është kjo: kujt i shërbejnë të gjitha këto lojëra të Shaqir Fetait? Kombit? Fesë? Shtetit? Apo vetëm vetëvetes së tij, i cili, me arrogancë të pamatë, sillet me Bashkësinë Fetare Islame si me pronën e tij të trashëguar, ndërsa në prapaskenë e shndërron në rrezik potencial diplomatik për Maqedoninë e Veriut?
Ky episod nuk është vetëm gafë. Është simptomë. Është pasojë e një institucioni të kapur, të korruptuar, të shantazhuar nga vetja dhe të shpopulluar nga njerëz që do të duhej të ishin rojtarët e moralit publik. Një institucion që nuk i njeh kufijtë e vet, as rolin e vet, as peshën e fjalës së vet, dhe që tani rrezikon jo vetëm autoritetin fetar, por edhe marrëdhëniet strategjike të vendit.
Në një shtet normal, pas këtij skandali, do të kishte dorëheqje, përgjegjësi morale e juridiker dhe ristrukturim. Por këtu, ku harresa dhe mosndëshkueshmëria janë bërë stil drejtimi, gjithçka mbyllet me një ribotim gazete dhe një njoftim për një seminar të radhës, mundësisht jasht opinionin vendor.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com