Një studim i ri tregon se ne vërtet biem në gjumë. Larg idesë se gjumi vjen ngadalë e butë, truri në fakt kalon papritur në gjumë pasi kalon një pikë të caktuar kthese, sipas sciencealert.com.
Duke përdorur skanime të trurit nga mijëra vullnetarë, studiues nga “Imperial College London “(ICL) dhe Universiteti i Surrey në Britaninë e Madhe zbuluan një ndryshim të papritur në aktivitetin elektrik të trurit rreth 4,5 minuta përpara fillimit të gjumit.
“Zbuluam se rënia në gjumë është një bifurkacion, pra, jo një proces gradual me një pikë të qartë kthese që mund të parashikohet në kohë reale”, tha neuroshkencëtari Nir Grossman nga ICL-ja.
Kjo aftësi për të ndjekur se si truri i çdo individi kalon në gjumë ka ndikime të mëdha në kuptimin e procesit të gjumit dhe në zhvillimin e trajtimeve të reja për njerëzit që kanë vështirësi për të fjetur.
Ekipi përdori një model që përpunoi 47 tipare të aktivitetit të trurit, të regjistruara përmes EEG (elektroencefalogramit), dhe i shndërroi ato në një hapësirë matematikore abstrakte.
Kjo lejoi hartimin e ndryshimeve që ndodhin në tru midis zgjimit dhe gjumit, një proces që, në grafik, ngjan me një top që rrokulliset poshtë një pjerrësie gjithnjë e më të thellë derisa bie.
Duke përdorur këtë model, vetëm një regjistrim i një nate nga truri i një personi ishte i mjaftueshëm për të parashikuar momentin e gjumit në netët pasuese me 95% saktësi, me një gabim mesatar prej vetëm 49 sekondash.
“Tani mund të marrim një individ, të matim aktivitetin e trurit të tij dhe, në çdo sekondë, të tregojmë sa afër është nga gjumi me një saktësi që më parë ishte e pamundur”, tha Grossman për revistën “New Scientist”.
Ky është një zbulim themelor për diçka që shumica prej nesh e marrim si të mirëqenë.
Përveç kuptimit më të thellë të gjumit të shëndetshëm, njohuri të tilla mund të ndihmojnë specialistët në diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve të gjumit, si pagjumësia apo përgjumja e tepruar gjatë ditës, si edhe në zhvillimin e teknologjive paralajmëruese për drejtuesit e mjeteve kur fillojnë të ndihen të përgjumur.
Gjithashtu, kjo metodë mund të ndihmojë në monitorimin më të saktë të anestezisë dhe të shërbejë si tregues i shëndetit të trurit.