Skena të tmerrshme kanë ndodhur pardje në fshatin Prosenikovë të Strumicës, ku një 48-vjeçar u përpoq ta helmonte bashkëshorten e tij, e më pas tentoi t’i priste arterien e qafës me thikë – para syve të dy fëmijëve të tyre të mitur, të cilët u përpoqën ta mbronin nënën. Fatmirësisht ai nuk arriti ta realizonte qëllimin, sepse fëmijët, pasi u shtynë nga babai i tërbuar, thirrën të afërm që arritën ta ndalonin para se ta vriste gruan.

Prokuroria Themelore Publike në Strumicë ka lëshuar urdhër për nisjen e procedurës hetimore ndaj autorit të dyshuar për veprën penale vrasje sipas nenit 123 paragrafi 2 pika 2 në lidhje me nenin 19 (tentativë) të Kodit Penal.

Në shtëpinë familjare në Prosenikovë, ai fillimisht e kapi gruan për koke dhe me shiringë u përpoq t’i fuste me forcë në gojë një lëng, me shumë gjasë pesticid. Viktima filloi ta shtyjë dhe të bërtasë, gjë që u dëgjua nga dy fëmijët e tyre të mitur, të cilët vrapuan nga dhoma tjetër dhe u përpoqën ta mbronin nënën.

Gruaja arriti të futej në banjë, por i dyshuari hyri pas saj, e shtyu në vaskë dhe e mbajti të shtypur me gju. Më pas nisi t’i shkaktonte prerje me thikë në pjesën e qafës, pranë arteries karotide. Fëmijët thirrën të afërm të tjerë, të cilët arritën ta largojnë agresorin, njoftoi Prokuroria e Strumicës.

Në deklaratën e saj para prokurorit publik, gruaja ka konfirmuar se për një periudhë të gjatë ka qenë viktimë e dhunës fizike dhe psikologjike nga bashkëshorti, por nuk kishte guxuar të raportonte.

Sipas prokurorit, ekziston rrezik real që i dyshuari të përsërisë dhunën dhe të tentojë ta përfundojë atë që kishte planifikuar, si dhe rrezik arratisjeje dhe ndikimi te dëshmitarët – të afërmit që e ndihmuan viktimën dhe e çuan në spital. Për këto arsye, prokurori ka paraqitur propozim te gjyqtari i procedurës paraprake për caktimin e masës së paraburgimit.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com