Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se ditët e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, janë të numëruara, transmeton Anadolu.
Trump iu përgjigj pyetjeve në emisionin “60 Minutes” të CBS.
Kur u pyet nëse SHBA-ja do të shkonte në luftë me Venezuelën, Trump tha: “Dyshoj, nuk mendoj kështu. Por, ata po na trajtojnë shumë keq, jo vetëm me drogën, por me qindra mijëra njerëz që u liruan për në vendin tonë nga burgjet dhe institucionet e tyre të shëndetit mendor”.
Trump anashkaloi pyetjen: “Nëse problemi me Venezuelën është droga apo largimi i Maduros,” por kur u pyet: “A janë ditët e numëruara të Maduros?”, ai u përgjigj: “Po, do të thoja kështu”.
Lidhur me faktin nëse SHBA-ja do të niste sulm ushtarak në territorin e Venezuelës, Trump tha: “Pavarësisht nëse kjo është e vërtetë apo jo, nuk jam i prirur t’ua them këtë. Nuk do t’ua thoja gazetarëve këtë”.
– “Nëse do të doja ta çarmatosja Hamasin, do ta bëja menjëherë”
Lidhur me zhvillimet në Lindjen e Mesme, Trump tha se armëpushimi në Gaza nuk është “i brishtë”, duke pohuar se Hamasi mund të “eliminohej menjëherë” në çdo kohë. “Nëse doja t’i çarmatosja, do ta bëja menjëherë, përndryshe do të eliminoheshin. Dhe ata e dinë këtë”, tha presidenti amerikan.
Në pyetjen nëse kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të nxiste njohjen e shtetit të Palestinës, siç bëri me armëpushimin në Gaza, Trump tha: “Po, më është dashur ta nxis pak për çështje të caktuara dhe e bëra. Kam punuar shumë mirë me të, por nuk më pëlqyen disa gjëra që bëri dhe e patë se çfarë bëra për këtë”.
Lidhur me akuzat ligjore me të cilat përballet Netanyahu, Trump pretendon se nuk ishte “trajtuar mirë”, duke thënë: “Mendoj se do të përfshihemi në këtë proces për ta ndihmuar pak, sepse mendoj se është shumë e padrejtë”.
Trump theksoi se ai dhe Netanyahu eliminuan kapacitetin bërthamor të Iranit dhe argumentoi se qeveria e Teheranit nuk ka më “asnjë kapacitet bërthamor”.