Manchester Unitedi ka refuzuar një ofertë të papritur shkëmbimi nga Chelsea gjatë afatit kalimtar të verës, sipas raportimeve.
United realizoi katër afrime gjatë verës: sulmuesit Benjamin Sesko, Matheus Cunha dhe Bryan Mbeumo, si dhe portieri i nënshkruar ditën e fundit të merkatos, Senne Lammens.
Sa i përket largimeve, Marcus Rashford dhe Jadon Sancho u larguan në formë huazimi, ndërsa Antony u transferua te Real Betis me kontratë të përhershme.
Skuadra e Ruben Amorimit vendosi të mos investojë në mesfushë, me raportimet që tregojnë se kjo do të jetë zona kryesore e përforcimeve në afatet e ardhshme.
Ata u lidhën me një lëvizje prej 100 milionë funtesh për mesfushorin e Brighton, Carlos Baleba, por në fund nuk bënë ofertë.
Në vend të kësaj, zhvilluan bisedime me Chelsean – klub që ka transferuar shumë lojtarë nga Brighton vitet e fundit – rreth shitjes së Alejandro Garnachos. Garnacho ishte udhëzuar nga Amorimi të gjente klub të ri pas humbjes në finalen e Ligës së Evropës kundër Tottenhamit, pasi e kishte përshkruar publikisht sezonin e Unitedit si “të dështuar”.
Sipas “ESPN”, Chelsea ofroi të dërgonte një prej mesfushorëve të tyre në drejtim të “Old Trafford” si pjesë e marrëveshjes prej 40 milionë funtesh për nënshkrimin e Garnachos.
Thuhet se mesfushori i Belgjikës, Romeo Lavia, ishte lojtari i ofruar te skuadra e Amorimit, por Unitedi e refuzoi marrëveshjen për shkak të shqetësimeve mbi historikun e tij të lëndimeve.
Këto shqetësime tashmë janë vërtetuar, të paktën në afat të shkurtër, pasi ai pësoi një problem në kofshë gjatë barazimit 2-2 të Chelseat në Ligën e Kampionëve kundër Qarabagut në fillim të nëntorit, që do ta mbajë jashtë fushave për një muaj.
Belgu ka pasur një sërë problemesh fizike që nga transferimi te Chelsea nga Southampton në verën e vitit 2023 dhe ende nuk ka luajtur një ndeshje të plotë 90-minutëshe për skuadrën e Enzo Marescas.
Sipas “Transfermarkt”, ai ka humbur gjithsej 78 ndeshje të Chelseat për shkak të lëndimeve.
Duke folur pas konfirmimit të mungesës së tij më të fundit, Maresca tha: “Ndihemi shumë keq, sidomos për të, sepse ai nuk ka arritur të jetë i gatshëm për një periudhë shumë të gjatë. Objektivi kryesor për Romeo tani është të jetë i shëndetshëm. Të mos lëndohet më. Për mua, në këtë moment, Romeo është aty ku ishte Reece James një vit më parë – duke u rikthyer pas një periudhe të gjatë jashtë fushave. Duhet ta menaxhojmë çdo minutë, çdo ditë, çdo sekondë. Qëllimi është ta mbajmë të shëndetshëm dhe ta ndihmojmë të shijojë futbollin përsëri”.