Javën që vjen liderët e VLEN-it, pritet të ulen në tryezë me kryeministrin Mickoski, për tu marrë vesh për fatin e dikastereve. Nuk dihet se si do të duket pasqyra e përgjithshme e kabinetit qeveritarë, kur ende nuk ka marrëveshje për emrat që do të vendosen në krye të ministrive që si pasojë e rezultatit të zgjedhjeve lokale mbetën vakante. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, i pyetur për fatin e tij në qeveri dhe nëse pret që të përfshihet në rikonstruimin eventual, tha se për këtë vendos Mickoski.
“Profili im si ekspert dhe si njeri është që të punosh maksimalisht dhe të përkushtohesh aty ku ndodhesh për momentin. Dhe unë po e bëj këtë edhe tani edhe më herët historikisht në pozicionet e mia akademike dhe politike. Më besoni se në këtë pjesë, duke pasur parasysh faktin se nuk varet nga unë, sepse kemi infrastrukturë, kemi qeveri politike, kemi kryeministër që vendos për rikonstruimin e Qeverisë. Dhe kjo varet nga profili i secilit ministër. Vlerësoj se pas analizës së profileve dhe proceseve që janë kryer dhe po vijojnë do të duhet që Qeveria, në këtë rast kryeministri të vendosin për rikonstruim, e unë si ministër i vazhdoj proceset dhe obligimet e mia derisa sa jam ministër në këtë institucion”, tha Azir Aliu, Ministër i Shëndetësisë.
Ndryshe nga Aliu, nga VLEN një ditë më parë thanë se nëse VMRO është partia e parë më e madhe në vend, VLEN është fuqia e dytë politike dhe vendimet do të merren bashkërisht. Ndërkohë një ditë më parë Menduh Thaçi nga PDSH, tha se nuk do ta refuzonte ftesën eventuale për pjesëmarrje në Qeveri dhe se është i hapur për dialog me të gjithë. Ajo që aktualisht është e qartë është se do të ketë kuadër të ri në pozicionin e zv. Kryeministrit të parë dhe ministrit të mjedisit jetësor, pasi Izet Mexhiti u bë kryetar i komunës së Çairit. Bekim Sali tanimë dy muaj përmendet si emër i mundshëm për zëvendës kryeministër të parë në vend të Mexhitit. Në prag të rikonstruimit të Qeverisë, koalicioni VLEN duhet të bëjë kalkulime të reja pasi nëse Bekim Sali propozohet për zv.kryeministër të parë duhet të jetë edhe ministër. Dikasteri i Ekologjisë mbetet në duart e LD-së së Izet Mexhitit. Në këtë rast, VLEN duhet të vendosë nëse Sali do të zëvendësojë ndonjërin nga ministrat e tjerë, në këtë rast të partisë së tij Alternativa, apo ndonjërin nga ministrat e Aleancës së mbetur në VLEN, pasi Mickoski e bëri të qartë se dikastere shtesë për VLEN-in nuk do të ketë.