Historia e shkëmbimeve kulturore, njerëzore, arsimore dhe në media midis Shqipërisë dhe Kinës dhe potencialet e shtimit të këtyre shkëmbimeve ishin në fokus të panelit me temë “Vlerat e nxitjes së shkëmbimeve kulturore Shqipëri-Kinë”, transmetuar këto ditë nga seksioni shqip i Grupit Mediatik të Kinës (CMG)
Të ftuarit në panel ishin përfaqësues të kulturës, artit dhe arsimit ndër të cilët Iljaz Spahiu, sinolog, Kryetar i Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë, përkthyes, Rexhep Hida-president i Shtëpisë Botuese “Fan Noli”, Sokol Marsi-drejtor i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe Glendi Xhani, pedagog i gjuhës kineze në Institutin “Konfuci” pranë Universitetit të Tiranës.
Sinologu i njohur Iljaz Spahiu, përkthyes dhe Kryetar i Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë vlerësoi se “Shkëmbimet kulturore dhe njerëzore kanë qenë baza dhe motivi që vazhdojnë të ekzistojnë marrëdhëniet e mira miqësore mes dy popujve tanë. Falë këtyre shkëmbimeve kulturore është krijuar baza e një tradite të shkëlqyer të marrëdhënieve tona dhe më vjen mirë që kanë filluar të intensifikohen, jo vetëm në fushën e botimeve, por dhe në fusha të tjera”
Rexhep Hida, presidenti i Shtëpisë botuese “Fan Noli”, e cila ka botuar autorë kinezë me famë botërore si Mo Yan, Lu Sun, Konfuci, por dhe serinë e veprave të presidentit të Kinës Xi Jinping “Qeverisja e Kinës” u shpreh se “po përgatitet për botim vëllimi i tretë i veprave të presidentit kinez dhe sjellja në shqip e botimeve të autorëve kinezë në përgjithësi ka bërë që lexuesi shqiptar të njihet me letërsinë, filozofinë dhe politikën kineze”.
Për të katërtin vit radhazi Ministria e Kulturës, Turizmit dhe Sporteve në bashkëpunim me Ambasadën e Kinës në Shqipëri dhe institucione të tjera organizojnë “Javën e Kulturës Kineze”. Në panel Drejtori i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore Sokol Marsi u ndal tek shkëmbimet mes artistëve të këtij ansambli dhe artistëve kinezë që kanë marrë pjesë në performancat e përbashkëta.
“Bashkëpunimet tona me artistët kinezë kanë qenë të shkëlqyera dhe mund të them se kemi zhvilluar javët kulturore me shumë shtete të botës por me Kinën ka një të veçantë se kinezët janë shumë të dashur dhe të komunikueshëm”, tha Marsi.

Ai shprehur dëshirën që Ansambli ynë i Këngëve dhe Valleve Popullore të shkojë në Kinë për shfaqje, pasi pas viteve 90-të ai nuk e ka vazhduar më traditën e koncerteve për publikun kinez.

Pas hapjes në vitin 2013 në Universitetin e Tiranës të Institutit Konfuci mundësia e njohjes së gjuhës dhe kulturës kineze në Shqipëri është konkretizuar. Të rinj të shumtë shqiptarë ndjekin kurset e gjuhës kineze në nivele të ndryshme, certifikohen dhe një pjesë e tyre vijojnë studimet në universitetet e Kinës. Pedagogu i këtij Instituti, Glendi Xhani theksoi se “Instituti ka nisur aktivitetin që në vitin 2013 dhe deri tani janë rregjistruar rreth 6 mijë studentë, ndërsa vetëm semestrin e fundit kishim rreth 150 studentë të rinj që janë regjistruar për të ndjekur leksionet e gjuhës kineze në vitin akademik 2025-2026”

Të ftuarit në panel nënvizuan se heqja e vizave ka ndikuar ndjeshëm në shtimin e shkëmbimeve njerëzore dypalëshe dhe vitet e fundit turistët kinezë në Shqipëri janë shtuar. Sipas tyre ekzistojnë mundësi të shumta për shtimin e shkëmbimeve jo vetëm në fushën e kulturës dhe arsimit, por dhe në teknologji, mjekësi dhe inovacion.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com