Presidenti kinez Xi Jinping u takua të mërkurën paradite në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me mbretin e Spanjës Felipe VI, i cili ndodhet për një vizitë shtetërore në Kinë.

Xi Jinping-u shprehu mirëpritje për vizitën e mbretit Felipe VI në Kinë dhe vuri në dukje që si Kina, ashtu edhe Spanja, kanë një trashëgimi të thellë historike e kulturore. Për më shumë se 50 vjet që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, të dy vendet i kanë shikuar dhe i kanë zhvilluar marrëdhëniet ndërmjet tyre nga një perspektivë strategjike e afatgjatë, duke treguar respekt e mbështetje të ndërsjellë dhe duke arritur sukses të përbashkët. Kina e Spanja kanë krijuar një model të bashkëjetesës miqësore dhe të zhvillimit të përbashkët midis vendeve me histori, kultura e sisteme shoqërore të ndryshme, duke luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e hapjes dhe të bashkëpunimit global e në mbështetjen e drejtësisë ndërkombëtare. Familja Mbretërore Spanjolle ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme lidhur me zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Kinës dhe Spanjës.

Mbreti Felipe VI shprehu, nga ana e tij, kënaqësinë për vizitën shtetërore në Kinë me rastin e 20-vjetorit të marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik midis Spanjës dhe Kinës. Ai vuri në dukje historinë e gjatë të shkëmbimeve miqësore midis Spanjës e Kinës, duke theksuar besimin dhe respektin e ndërsjellë midis dy vendeve që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe angazhimin e tyre për zhvillim e lulëzim të përbashkët. Mbreti spanjoll vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme të zhvillimit të Kinës, veçanërisht përvojat e saj të suksesshme në zbutjen e varfërisë dhe në zhvillimin e gjelbër e me lëshim të ulët karboni, të cilat, sipas tij, janë të denja për t’u ndjekur.

Pas takimit, të dy krerët e shtetit morën pjesë së bashku në nënshkrimin e 10 dokumenteve të bashkëpunimit në fushat e tregtisë, shkencës e teknologjisë dhe arsimit.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com