Ylli i Atlético Madridit, Koke, duket se është gati të arrijë një rekord historik paraqitjesh me ngjyrat e “Rojiblancos” këtë fundjavë.
Kjo pasi mesfushori ka zbritur në fushë për skuadrën nga kryeqyteti plot 699 herë gjatë karrierës së tij deri më tani.
Koke konsiderohet gjerësisht si një legjendë e Atlético Madridit, një nga lojtarët më besnikë dhe më të përkushtuar të klubit.
Reprezentuesi spanjoll është tashmë lojtari me më së shumti paraqitje në historinë e klubit dhe, siç u përmend më lart, ka shumë gjasa që këtë fundjavë të vazhdojë të shënojë rekorde.
Siç ka konfirmuar “Mundo Deportivo”, nëse ai paraqitet në cilëndo formë kundër Getafe të dielën, Koke do të arrijë shifrën e 700 paraqitjeve për klubin e tij të përjetshëm.
Kjo do ta afrojë edhe më shumë 33-vjeçarin me mbajtësin e rekordit për më së shumti dalje për një klub të vetëm spanjoll.
Ikona e Barcelonës, Lionel Messi, mban aktualisht këtë rekord, pasi ka luajtur për Blaugranën plot 778 herë në të gjitha garat.