Turistët që udhëtojnë drejt Bukureshtit nga viti 2026 do të përballen me një taksë të re turistike.
Këshilli i Përgjithshëm i Bashkisë së Bukureshtit publikoi më herët këtë muaj një projekt për vendosjen e një tarife të posaçme, që synon promovimin e turizmit në kryeqytet.
Masa u miratua vetëm katër ditë më vonë, më 23 dhjetor, duke shkaktuar shqetësime për mungesën e një “plani konkret” mbi mënyrën se si do të përdoren fondet.
Sipas autoriteteve, taksa – e cila pritet të gjenerojë rreth 2.9 milionë euro – do të ndihmojë në promovimin e Bukureshtit si destinacion turistik.
Duke nisur nga viti i ardhshëm, çdo turist që qëndron në struktura akomoduese në Bukuresht do të paguajë rreth 2 euro për natë. Ndryshe nga shumë qytete të tjera, kjo taksë nuk do të varet nga çmimi i akomodimit. Ajo do të mblidhet nga strukturat pritëse, platformat online si Airbnb dhe Booking.com, ose nga agjencitë turistike.
Sipas mediave lokale, mosrespektimi i rregullave mund të sjellë gjoba deri në 294 euro për individët dhe rreth 785 euro për bizneset.
Ndërkohë, Federata e Industrisë Hoteliere Rumune (FIHR) ka paralajmëruar se kjo masë mund të ndikojë negativisht në turizmin e Bukureshtit.
Sipas përfaqësuesve të industrisë, ndonëse promovimi i qytetit është i rëndësishëm, ligji është miratuar në mënyrë të nxituar dhe “jo transparente”, duke rrezikuar që Bukureshti të mbetet një destinacion i shtrenjtë fiskalisht, por pa një strategji të qartë promovimi