Dje ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, njoftoi se vetëm për 12 orë, “Safe City” ka arritur të evidentojë 65 mijë shkelje nga drejtuesit e automjeteve.
“Në 12 orët e para të funksionimit testues të sistemit u regjistruan plot 65.000 shkelje, nga të cilat 2.800 për kalim në dritë të kuqe dhe 1.000 për automjete të paregjistruara”, deklaroi dje Toshkovski.
Por çfarë thonë llogaritjet? Sa para do të inkasojë shteti vetëm nga pagesa e gjobave?
Edhe pse nuk ka statistika të përgjithshme për shkeljen më të shpeshtë të Ligjit për Sigurinë e Qarkullimit Rrugor në Maqedoni, nga analiza e shkurtër që ka bërë “Faktor”, thuajse nuk ka shofer që nuk e ka “fit uar” gjobën prej 45 eurosh (ose gjysmën e shumës) për tejkalim të shpejtësisë së lejuar.
Nëse supozojmë se të gjithë shoferët e kanë paguar gjobën me gjysmën e shumës, brenda 8 ditëve nga marrja e saj, atëherë llogaritjet tregojnë se MPB, në llogarinë e vet nga qytetarët që kanë marrë gjobë prej 45 eurosh, respektivisht gjysmën – 22,5 euro – do të inkasojë gati një milion e gjysmë euro brenda një periudhe nga një deri në tetë ditë.
Nëse i njëjti numër shoferësh e kryejnë të njëjtën shkelje gjatë gjithë muajit, shteti do të inkasojë 43.875.000 euro.
Por, nëse të gjithë nuk e paguajnë gjobën brenda afatit kur ka ulje të shumës, atëherë këta 65 mijë shoferë të gjobitur do t’i sjellin shtetit gati 3 milionë euro në ditë.
Nëse i njëjti ritëm vazhdon çdo ditë për 30 ditë, shteti do të inkasojë 87.750.000 euro.
Sigurisht ekzistojnë edhe gjoba që janë dukshëm më të ulëta ose më të larta, në varësi të llojit të shkeljes.