Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 31-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, Fakulteti i Kulturës Fizike organizoi turneun tradicional të futbollit të vogël. Finalja e këtij turneu solli emocione të veçanta, ku u përballën Fakulteti i Kulturës Fizike dhe Fakulteti i Shkencave të Zbatuara.
Pas një ndeshjeje dinamike, skuadra e Fakultetit të Shkencave të Zbatuara triumfoi me rezultat 3–2, duke u shpallur kampione e këtij turneu. Vendin e dytë e zuri Fakulteti i Kulturës Fizike, ndërsa vendi i tretë i takoi Fakultetit Ekonomik.
Në ceremoninë përmbyllëse u ndanë kupat dhe mirënjohjet: Kryetari i Kuvendit Studentor Leart Ibraimi i ndau mirënjohjet për referët e turneut, Furkan Idrizi dhe Serkan Zejneli; kupën për vendin e tretë e dorëzoi Kryetari i Senatit Prof. Dr. Kenan Ferati; kupën për vendin e dytë e ndau Prorektorja për Financa, Prof. Dr. Aida Yzeiri – Baftijari; kupën për skuadrën kampione e dorëzoi Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ndërsa kupën e madhe e ndau Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Ky turne, i cili zhvillohet çdo vit në prag të përvjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, është shndërruar në një traditë sportive që i bashkon studentët dhe promovon vlerat e fair-play-it, respektit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.





