Ademi: Qasja e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese rrezikon Marrëveshjen e Ohrit dhe të drejtat e shqiptarëve
Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, duke i cilësuar ato si joprofesionale dhe tendencioze, si dhe në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe Marrëveshjen e Ohrit.
Sipas Adem-it, qëndrimet e shprehura nga kreu i Gjykatës Kushtetuese e shndërrojnë këtë institucion në një organ parapolitik majorizues, në funksion të zhbërjes së Marrëveshjes së Ohrit. Ai thekson se deklarata “as nuk japim, as nuk marrim”, e shoqëruar me paralajmërime për harmonizim me Kushtetutën pa transparencë, bie ndesh drejtpërdrejt me Amendamentin V të Kushtetutës dhe përbën shkelje flagrante të të drejtave të shqiptarëve.
Ademi vlerëson se mungesa e transparencës dhe proceset e mbyllura krijojnë shqetësim të ligjshëm te shqiptarët, të cilët, sipas tij, me të drejtë shohin rrezik nga një qasje e njëanshme, majorizuese dhe pa argumentim profesional.
Po ashtu, ai ka kritikuar qëndrimet kundër zbatimit të parimit të Badinterit në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Sipas Ademit, Badinteri nuk është shpikje politike, por një mekanizëm kushtetues thelbësor për mbrojtjen e komuniteteve dhe ruajtjen e karakterit multietnik të shtetit.
“Përjashtimi i parimit të Badinterit nga vendimmarrja për çështje që prekin drejtpërdrejt të drejtat kolektive nuk e forcon shtetin ligjor, por e cenon atë,” thekson Ademi, duke shtuar se drejtësia nuk mund të shkëputet nga ndjeshmëria kushtetuese dhe shoqërore.
Në fund të reagimit të tij, sekretari i përgjithshëm i BDI-së thekson se momenti është tani për zbatimin e parimit të Badinterit edhe në Gjykatën Kushtetuese.