Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në tubimin protestues të mbajtur sot në Shkup, ku qytetarët shprehën mbështetje për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Protesta u organizua nga Organizata e Veteranëve.

Gjatë fjalës së tij, Ahmeti falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropën dhe NATO-n për mbështetjen e dhënë UÇK-së, duke theksuar se kjo mbështetje ishte vendimtare në ndalimin e gjenocidit ndaj popullit të Kosovës, raporton Tetovasot.

“Jemi mbledhur sot në sheshin ‘Skënderbe’, një vend historik për kufijtë e Evropës, për të mos lejuar pushtimin e saj. Jemi këtu pranë vendeve ku vepruan figura të shquara të kombit tonë, si Hasan Prishtina, Pjetër Bogdani dhe Nexhat Agolli. Hasan Prishtina u vra për lirinë e kombit, Pjetër Bogdani dha dije dhe filozofi evropiane, ndërsa Nexhat Agolli u pushkatua nga regjimi për kërkesën e tij për liri, drejtësi dhe barazi për popullin,” tha Ahmeti.

Ai theksoi se mbështetja ndërkombëtare ishte thelbësore për suksesin e luftës çlirimtare:

“Amerikë, NATO, Evropë, faleminderit që filozofinë dhe veprimtarinë e njerëzve më të mëdhenj të kombit tonë e keni mbështetur përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke ndalur gjenocidin ndaj popullit të saj,” përfundoi Ahmeti.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume