Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski kumtoi se Inspektorati për mjedis jetësor ka shqiptuar dënime ndaj personave juridikë – ndotës në Shkup, pasi që në dy ditët e fundit janë kryer mbikëqyrje të fuqishme dhe të koordinuara inspektuese në terren.
Gjorgjievski në informatën që e ndau në profilin e tij në Fejsbuk u bën thirrje shkupjanëve të paraqesin ndotës potencial në e-mailin në vijim: [email protected].
“Nuk ka tolerancë për askënd – janë shqiptuar dënime për ndotësit në Shkup. Të respektuar shkupjanë, gjatë ditëve të kaluara Shkupi u përball me ndotje serioze të ajrit. Sipas të dhënave nga monitorimi shtetëror, ishte tejkaluar pragu i lejuar dhe gjendja kërkonte reagim urgjent dhe vendimtar. Si kryetar i Qytetit të Shkupit, por para së gjithash si njeri i cili së bashku me familjen e thithë ajrin e njejtë si të gjithë ju, nuk pata të drejtë të heshtë dhe të mos veproj. Gjatë dy ditëve të kaluara u kryen mbikëqyrje të fuqishme dhe të koordinuara inspektuese në terren. Inspektorati për mjedis jetësor shqiptoi dënime ndaj personave juridikë – ndotës dhe qartë tregoi se ligji vlen për të gjithë”, shkroi Gjorgjievski.
Kryetari i Qytetit paralajmëron se nuk do të ndalen këtu dhe se do të vazhdojnë më intensivisht dhe me vendosmëri.
“Secili që e rrezikon shëndetin e qytetarëve do të sanksionohet, pa asnjë gram tolerance! Nuk ka kompromis për shëndetin. As për mua, as për ju, as për fëmijët tanë. Paralelisht me masat represive, Qyteti i Shkupit ka dalë edhe me një sërë rekomandimesh dhe masash për mbrojtje nga ajri i ndotur, të cilat janë shpallur publikisht dhe janë në dispozicion të të gjithë qytetarëve: https://skopje.gov.mk/…/19-12-25-soopstenie_preporaki…/. Këto rekomandime tashmë po zbatohen dhe janë pjesë e rëndësishme e luftës së përbashkët për ajër më të pastër. Në të njëjtën kohë, dua të përshëndes publikisht angazhimin e fortë dhe të vazhdueshëm të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për hapat që vetëm në një vit e gjysmë, së bashku me qeverisjen lokale, janë ndërmarrë drejt ajrit më të pastër. Këto përfshijnë Strategjinë për ajër më të pastër 2024–2030, subvencionet për kondicionerët me inverter, instalimin e pastruesve të ajrit në kopshtet e fëmijëve në Shkup, pyllëzimin masiv në të gjithë vendin, gazifikimin, ndërtimin e dy centraleve të bashkëprodhimit në hyrje të Shkupit, si dhe parqe të reja me stola me pastrues ajri të integruar dhe shumë masa të tjera”, tha kryetari i Qytetit të Shkupit.
Gjorgjievski theksoi se lufta për ajër më të pastër është e përbashkët dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Shkupit t’i bashkangjiten dhe t’i respektojnë rekomandimet dhe masat.
“Secili kontribut individual është i rëndësishëm. Por, për atë që është në kompetenca të Qytetit të Shkupit, porosisim qartë se nuk do të ketë tolerancë. Duhet të ketë rend. Ligji do të zbatohet. Ndërsa shëndeti i shkupjanëve do të jetë prioriteti ynë absolut”, tha kryetari Gjorgjievski.