Koalicioni AKI ka hapur zyrtarisht fushatën zgjedhore në komunën e Vrapçishtit, me pjesëmarrjen e kandidatit për kryetar komune, Isen Shabani, si dhe liderëve të koalicionit, Arben Taravari dhe Ali Ahmeti. Tubimi shënoi fillimin e angazhimit zgjedhor të AKI-së në këtë komunë, me fokus në mobilizimin e qytetarëve dhe synimin për fitore më 11 janar.
Kandidati për kryetar, Isen Shabani, duke folur për projektet e realizuara gjatë dy mandateve të kaluara, theksoi se çdo shkollë në komunë është rinovuar dhe sot ofron kushte moderne për nxënësit. Ai gjithashtu njoftoi se është filluar rrjeti i kanalizimit në çdo fshat, me një gjatësi totale prej 51 kilometrash, duke e bërë Vrapçishtin komunën e parë rurale në vend ku çdo vendbanim do të ketë kanalizim.
Kryetari i ASH-së, Arben Taravari, ftoi banorët e Vrapçishtit të mobilizohen që më 11 janar të përsëritet fitorja e 19 tetorit. Ai shtoi se Shabani është në garë me ish-shefin e kabinetit, të cilin, sipas tij, e pret një humbje e thellë, duke përmendur edhe shembullin e Mehmet Seferit nga VLEN, i cili pësoi humbje të thellë nga Shabani në raundin e parë të zgjedhjeve më 19 tetor.
Nga ana tjetër, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, u shpreh i bindur për fitoren e AKI-së dhe të Isen Shabanit në Vrapçisht. Ai kritikoi koalicionin VLEN, duke e quajtur “vasal të VMRO-DPMNE-së” dhe theksoi se shqiptarët po dobësohen në Maqedoni, ndërsa faktorët ndërkombëtarë nuk i konsiderojnë më seriozisht.
Shtabi qendror zgjedhor i AKI-së në Vrapçisht është vendosur në fshatin Negotinë, ku morën pjesë edhe figura të tjera politike nga BDI dhe ASH.