Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në Gostivar ka vijuar aktivitetet në terren me një ritëm të pandërprerë, ndërsa nga mbrëmja e sotme mobilizimi po zhvillohet me intensitet të shtuar, në prag të nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore më 22 dhjetor.
Kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, së bashku me kryesuesin e Këshillit të Komunës dhe njëherësh kryetar të Degës së BDI-së në Gostivar, Valdet Xhaferi, deputetët Halil Snopçe dhe Talat Xhaferi, si dhe ekipin lokal të AKI-së, zhvilluan një takim me banorët e Lagjes së Sahatit.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të cilat do të përsëriten më 11 janar 2026, duke reflektuar angazhimin e qëndrueshëm të strukturave të AKI-së për komunikim të drejtpërdrejtë dhe transparent me qytetarët.
Sipas rezultateve të raundit të kaluar zgjedhor më 19 tetor, në Gostivar nuk u arrit censusi, me një pjesëmarrje prej vetëm 33.31%. Në këtë proces, kandidati i AKI-së, Limani, siguroi rreth 17 mijë vota, ose rreth 13 mijë më shumë sesa kandidati i koalicionit VLEN–VMRO, Sebaedin Dauti. Ky koalicion ende nuk ka bërë të ditur kandidatin me të cilin do të garojë në zgjedhjet e përsëritura, ndërkohë që ka mbetur vetëm një javë deri në afatin zyrtar për dorëzimin e kandidaturave.