Në përvjetorin e 27-të të rënies së Komandantit Mujë Krasniqi – Kapuçi, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka bërë një postim përkujtimor, duke nderuar figurën dhe veprën e njërit prej heronjve më të shquar të luftës për liri.
Ahmeti thekson se Mujë Krasniqi ishte simbol i guximit, përkushtimit dhe sakrificës sublime për atdheun dhe dinjitetin kombëtar. Sipas tij, rënia heroike e komandantit Mujë, së bashku me 41 bashkëluftëtarë, 27 vjet më parë, nuk përfaqësonte fundin e një beteje, por themelet mbi të cilat u ndërtua liria.
“Emri dhe vepra e Mujë Krasniqit do të jetojnë përjetësisht në kujtesën kombëtare, si udhërrëfyes për brezat që vijnë,” ka shkruar Ahmeti, duke shtuar se sakrifica e tyre mbetet një amanet i shenjtë për të gjithë shqiptarët.


