Ali Ahmeti: Reformë të thellë në BDI, Kongresi i Pestë hap kapitull të ri me gjeneratë të re dhe barazi më të fortë
Në Kongresin e Pestë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), të mbajtur dje, partia dëshmoi pjekuri politike, përgjegjësi institucionale dhe guxim për ndryshim, duke ndërmarrë një reformë të thellë strukturore dhe organizative, shkruan TS.
Përmes ndryshimeve thelbësore në strukturë, përbërje dhe aktet themelore, BDI zgjodhi të reformohet jo për arsye formale, por me synimin për të ndërtuar të ardhmen, duke ruajtur njëkohësisht boshtin e saj ideologjik dhe politik. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, u rikonfirmua në krye të partisë, duke shprehur mirënjohje për besimin e dhënë.
Sipas Ahmetit, më shumë se 60 për qind e përbërjes së Këshillit të Përgjithshëm tashmë përbëhet nga anëtarë të rinj, përqindje që reflektohet edhe në Kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm. Njëherësh, është shënuar rritje e ndjeshme e përfaqësimit të grave, nga pesë në përbërjen e kaluar, në dhjetë gra në përbërjen e re, duke dëshmuar angazhimin serioz të partisë ndaj barazisë dhe gjithëpërfshirjes.
Po ashtu, në Kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm janë përfshirë edhe tre të rinj deri në moshën 29 vjeçare, një risi e rëndësishme krahasuar me të kaluarën, kur të rinjtë nuk kishin përfaqësim në këtë organ.
Ahmeti theksoi se autorët e iniciativës për reformë janë pikërisht ata që, me dinjitet, ia kanë lëshuar vendin brezit të ri, mbi shpatullat e të cilit po rritet një gjeneratë e gatshme të marrë përgjegjësi.
“BDI mbetet një forcë politike stabile, reformuese dhe e përgatitur për sfidat që vijnë, me njerëz, ide dhe energji të reja, por gjithmonë besnike ndaj misionit të saj për përfaqësim dinjitoz, barazi dhe zhvillim demokratik”, ka shkruar Ali Ahmeti.
Në fund, ai falënderoi delegatët, strukturat dhe anëtarësinë për këtë kapitull të rëndësishëm të përbashkët, duke theksuar mesazhin: “Vazhdojmë BASHKË!”/TS





