Ali Ahmeti thirrje për protestë në Shkup më 13 dhjetor: “Shkupi do të buçasë për të vërtetën dhe drejtësinë”
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka bërë thirrje për një protestë në Shkup më 13 dhjetor, duke theksuar mbështetjen për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procese gjyqësore informon Tetovasot.
Në një postim të publikuar sot, Ahmeti deklaroi se pas tubimeve në Prishtinë dhe Tiranë, tani edhe Shkupi do të jetë qendra e një tjetër proteste në mbështetje të çlirimtarëve. Ai njoftoi se protesta do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 13:00.
Sipas tij, lufta e UÇK-së ishte “e drejtë, çlirimtare dhe e mbështetur nga bota demokratike”, ndërsa akuzat me të cilat përballen ish-pjesëtarët e saj i cilësoi si “politike, të montuara dhe të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia”.
“Liria nuk gjykohet, liria mbrohet”, shkroi Ahmeti, duke theksuar se qytetarët duhet të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtje të, siç tha ai, “së vërtetës objektive”.
Postimi i plotë:
Pas Prishtinës dhe Tiranës, tani edhe Shkupi do të buçasë për të vërtetën dhe drejtësinë!
Sheshi “Skënderbeu” në Shkup do të jetë zëri i fuqishëm i qytetarëve që kërkojnë drejtësi për çlirimtarët tanë.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë, çlirimtare dhe e mbështetur nga bota demokratike. Drejtësia për luftëtarët e lirisë nuk mund të ndërtohet mbi akuza politike, montime dhe dëshmi të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia.
Ashtu siç qëndruam përkrah luftëtarëve të UÇK-së në Prishtinë dhe Tiranë, ashtu do të qëndrojmë edhe në Shkup, krenarë, të vendosur dhe të palëkundur në mbrojtje të së vërtetës sonë, të së vërtetës objektive.
Më 13 dhjetor, në orën 13:00, të gjithë në Shkup!

Liria nuk gjykohet, liria mbrohet!
Lavdi UÇK-së!