Aliu në vizitë në Klinikën për TOARILUC: Në fazë përfundimtare është rinovimi i plotë i KARIL-it dhe i katër sallave operatore në bllokun kirurgjik
“Rinovimi i plotë i KARIL-it (Klinika e Anestezisë, Reanimacionit dhe Mjekimit Intensiv) është në fazën përfundimtare dhe shumë shpejt presim që kjo hapësirë të vihet në përdorim për pacientët. Në fazë përfundimtare është edhe rinovimi i bllokut operativ kirurgjik, ku në fazën e parë janë përfshirë katër salla operatore. Në fazën e dytë parashikohet edhe një sallë e re operatore në kuadër të Qendrës së Urgjencës, me ç’rast kjo Klinikë do të marrë edhe një sallë shtesë për ndërhyrje më të vogla”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, pas vizitës së sotme në Klinikën për TOARILUC (Traumatologji, Ortopedi, Anesteziologji, Reanimacion, Intensivë dhe Urgjencë).
Gjatë takimit me drejtorin e Klinikës, dr. Igor Merdzhanoski, u shqyrtuan mundësitë për furnizimin me pajisje të reja bashkëkohore mjekësore të destinuara për KARIL dhe për bllokun operativ, me qëllim përmirësimin e kushteve për trajtimin e pacientëve.


