Aliu: Shëndeti është kapital njerëzor, ndërsa kapitali njerëzor është burimi më i vlefshëm i çdo shteti
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot iu drejtua debatit publik të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, kushtuar temës “Mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve nga ndikimet e dëmshme dhe pasojat e pirjes së duhanit”.

“Sot flasim për shëndetin si themel të një ekonomie moderne, shoqërore dhe të qëndrueshme. Përdorimi i duhanit dhe produkteve me nikotinë mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekjeve të parakohshme në botë. Kostot shëndetësore dhe ekonomike të lidhura me përdorimin e duhanit arrijnë deri në 3 për qind të produktit të brendshëm bruto. Kjo na çon në përfundime të qarta që duhet t’i përcaktojmë sot. Shëndeti publik dhe ekonomia janë të pandashme për shoqërinë. Kur të rinjtë ekspozohen herët ndaj nikotinës, rritet rreziku nga sëmundjet kronike, ulet potenciali i tyre profesional, rritet presioni mbi sistemin shëndetësor të shtetit dhe dobësohet baza e ardhshme ekonomike e vendit”,– theksoi ministri Aliu në fjalimin e tij.

Njëkohësisht, ai theksoi se shëndeti është kapital njerëzor, ndërsa kapitali njerëzor është burimi më i vlefshëm i çdo shteti.
