Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, të shtunën, ka arrestuar në Leshak të Komunës së Leposaviqit, ish-pjesëtarin e MUP-it të Serbisë.
Sipas Ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ekzistojnë dyshime të bazuara se i arrestuari ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur vazhdimisht strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe kidnapimin e Milan Vukashinoviç, i cili gjatë ngjarjes u plagos rëndë dhe aktualisht po trajtohet në një spital në Serbi.
“V.M. dyshohet se ka qenë në kontakt me strukturat e inteligjencës së Serbisë dhe ato të ushtrisë, ka përgatitur të rinj serbë për trajnime në bashkëpunim me pjesëtarë të ushtrisë së Serbisë, si dhe së paku ka qenë në dijeni për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.
Më 1 nëntor të këtij viti, shtetasi i Kosovës Milan Vukashinoviç, u kidnapua në brendësi të territorit të Kosovës nga strukturat e sigurisë së Serbisë.