Australia njoftoi se do t’i shtrëngojë ligjet për armët pasi një baba dhe biri i tij vranë 15 persona në sulmin e djeshëm në plazhin e njohur Bondi në Sidnej, gjatë një feste hebraike për Hanukën. Ata janë identifikuar si 50-vjeçari Sajid Akram, i cili u vra në vendngjarje, dhe djali i tij 25-vjeçar, Navid, i cili ndodhet në spital në gjendje kritike.

Ministri i Brendshëm Toni Burke tha se Sajidi kishte ardhur në Australi në vitin 1998 me vizë studentore, pa specifikuar nga cili shtet, ndërsa Navidi kishte lindur në Australi. Babai kishte leje për posedim armësh që nga viti 2015 dhe kishte gjashtë armë të regjistruara.

Viktimat janë të moshës nga 10 deri në 87 vjeç. Në spital po trajtohen 27 persona, prej të cilëve të paktën gjashtë janë në gjendje kritike. Në momentin e sulmit, në plazh ndodheshin rreth 1.000 njerëz.

“Po punojmë intensivisht për të zbardhur të kaluarën e dy personave. Në këtë fazë dimë shumë pak për ta”, deklaroi komisari i policisë së Uellsit të Ri Jugor, Mal Lanyon.

Në automjetin e sulmuesve janë gjetur dy flamuj të Shtetit Islamik, njoftoi transmetuesi kombëtar australian “ABC News”, pa cituar burime.

Dëshmitarët okularë thanë se sulmi zgjati rreth dhjetë minuta. Një video e filmuar nga një kalimtar tregon një burrë që përballet me njërin nga sulmuesit dhe ia merr armën. I identifikuar si Ahmed al Ahmed, një shitës frutash nga Sidneji, ai u plagos dy herë, por pas operacionit ndodhet në gjendje të mirë. Qytetarët e kanë shpallur hero, ndërsa për guximin e tij e ka lavdëruar edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Autoritetet janë të bindura se nuk ka persona të tjerë të përfshirë në sulm. Të shtënat e djeshme janë më seriozet në valën e sulmeve antisemite ndaj sinagogave, ndërtesave dhe automjeteve në Australi që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se e kishte paralajmëruar homologun e tij australian, Anthony Albanese, se mbështetja për shtetësinë palestineze do të nxisë antisemitizmin.

“Ne qëndrojmë përkrah hebrenjve australianë dhe kundërshtojmë urrejtjen dhe dhunën. Australia është më e fortë se ata që përpiqen të na ndajnë dhe do ta kalojmë këtë së bashku”, tha Albanese.

Të shtënat masive janë të rralla në Australi. Ky ishte sulmi më i rëndë që nga viti 1996, kur në ishullin e Tasmanisë u vranë 35 persona.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com