Bashkimi Evropian ka rënë dakord për një ndalim të plotë të importeve të gazit rus nga vjeshta e vitit 2027
Marrëveshja e arritur nga ligjvënësit të martën vonë në mbrëmje për kontratat afatshkurtra të lidhura para 17 qershorit 2025, parashikon ndalimin e importeve të gazit të lëngshëm rus nga 25 prilli 2026 dhe nga 17 qershori 2026 për gazin e transportuar nëpërmjet tubacionit.
Për kontratat afatgjata për importin e gazit të lëngshëm, ndalimi hyn në fuqi më 1 janar 2027, siç parashikohet në paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë.
Sa i përket kontratave afatgjata për importin e gazit rus përmes tubacioneve, ndalimi do të hyjë në fuqi më 30 shtator 2027, me kusht që kapacitetet e magazinimit të gazit të jenë të mbushura mjaftueshëm, dhe jo më vonë se 1 nëntori 2027.
Pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, udhëheqësit e BE-së ranë dakord në samitin e Versajës në mars 2022 që gradualisht të zhdukin varësinë nga lëndët djegëse fosile ruse sa më shpejt të jetë e mundur.
Si rezultat, importet e gazit dhe naftës nga Rusia në BE kanë rënë ndjeshëm vitet e fundit. Megjithatë, ndërsa importet e naftës ranë me tre përqind në vitin 2025 për shkak të regjimit aktual të sanksioneve, gazi rus ende përbënte rreth 13 përqind të importeve të BE-së në vitin 2025, me një vlerë prej më shumë se 15 miliardë eurosh në vit.
“Kjo është një fitore e madhe për ne dhe për të gjithë Evropën. Ne duhet t’i japim fund varësisë së BE-së nga gazi rus dhe një ndalim i përhershëm i importit është një hap i madh në drejtimin e duhur”, tha Ministri danez i Energjisë Lars Agard, vendi i të cilit mban presidencën e Këshillit të BE-së.
Marrëveshja politike mbi rregulloren duhet ende të konfirmohet nga dy institucionet legjislative – Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian, gjë që konsiderohet një formalitet.
Komisioni Evropian propozoi një rregullore për të ndaluar importet e gazit rus në vend të sanksioneve, pasi rregullorja mund të miratohet me shumicë të kualifikuar, ndërsa sanksionet kërkojnë pëlqimin unanim nga të gjitha shtetet anëtare. Në këtë mënyrë, u shmang një veto e mundshme nga Hungaria ose Sllovakia.
Në muajt e ardhshëm, Komisioni pritet të propozojë një ndalim të importeve të naftës ruse në Hungari dhe Sllovaki deri në fund të vitit 2027.