Në Kongresin e pestë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i cili po mbahet në Shkup, delegatët miratuan katër rezoluta strategjike, të cilat synojnë forcimin e shtetit, konsolidimin e barazisë funksionale dhe përcaktimin e drejtimit të mëtejmë politik të vendit, raporton TS.

Rezoluta e parë ka të bëjë me Përforcimin e Karakterit Unitar të Shtetit dhe Konsolidimin e Barazisë Funksionale, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të drejtë, legjitimitetit të dyfishtë dhe funksionimit të barabartë të institucioneve për të gjitha komunitetet.

Rezoluta e dytë fokusohet në Shtetin e së Drejtës, Drejtësinë e Pavarur dhe Rikthimin e Besimit në Institucione, me theks të veçantë në luftën kundër korrupsionit, forcimin e gjyqësorit dhe garantimin e drejtësisë së paanshme për të gjithë qytetarët.

Rezoluta e tretë parasheh Marrëveshjen Kombëtare për Përparim dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të Vendit, si një platformë gjithëpërfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social dhe institucional, me fokus në rritjen ekonomike, inovacionin, zhvillimin rajonal dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Rezoluta e katërt riafirmon Integrimin Evropian si orientim strategjik dhe të pakthyeshëm të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar përkushtimin për reformat evropiane, sundimin e ligjit dhe standardet demokratike.

Sipas përfaqësuesve të BDI-së, këto katër rezoluta përbëjnë bazën e vizionit politik të partisë për periudhën e ardhshme dhe synojnë ndërtimin e një shteti stabil, funksional dhe të integruar plotësisht në strukturat euroatlantike.

Më poshtë ju sjellim katër rezolutat që u miratuan sot në Kongres.

REZOLUTË 1

PËR PËRFORCIMIN E KARAKTERIT UNITAR TË SHTETIT
DHE KONSOLIDIMIN E BARAZISË FUNKSIONALE

Duke u mbështetur në vizionin politik, përcaktimet programore dhe angazhimin e
vazhdueshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim për ndërtimin e një shteti
demokratik, funksional dhe të drejtë për të gjithë qytetarët;
Duke riafirmuar bindjen se karakteri unitar i Republikës së Maqedonisë së Veriut
forcohet vetëm atëherë kur të gjithë qytetarët dhe komunitetet ndihen realisht të
përfaqësuar dhe të përfshirë në proceset vendimmarrëse;
Duke konstatuar se uniteti shtetëror nuk ndërtohet mbi shumicë mekanike dhe
praktika majorizuese, por mbi legjitimitet të dyfishtë, konsensus institucional dhe
respekt të ndërsjellë ndërmjet komuniteteve;
Duke theksuar se shteti unitar mund të jetë i qëndrueshëm dhe funksional vetëm
nëse mbështetet mbi besimin dhe lojalitetin e të gjitha komuniteteve, në frymën dhe
përmbajtjen e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit;
Kongresi vlerëson se përfaqësimi i drejtë dhe barazia funksionale përbëjnë themelin
e kohezionit shoqëror dhe stabilitetit institucional të vendit. Në këtë drejtim,
angazhimi për mekanizma që garantojnë legjitimitet të dyfishtë në proceset kyçe të
qeverisjes është thelbësor për ruajtjen e unitetit dhe funksionalitetit të shtetit.
Kongresi riafirmon qendrimin që çdo përbërje e re e Qeverisë të marrë besimin e
Kuvendit jo vetëm me shumicën e deputetëve të pranishëm, por edhe me shumicën
e deputetëve të komuniteteve jo-shumicë. Kjo do të sigurojë që qeveria të gëzojë
legjitimitet të dyfishtë dhe të jetë realisht përfaqësuese për të gjitha etnitë. Ky
mekanizëm është garanci për funksionimin e barabartë të shtetit dhe për ruajtjen e
kohezionit ndëretnik në nivelet më të larta të vendimmarrjes.
Në të njëjtën kohë, Kongresi thekson rëndësinë e respektimit të parimit të Badenterit
edhe në Gjykatën Kushtetuese, duke vlerësuar se Ligjet që miratohen me shumicë
të dyfishtë në Kuvend (në bazë të parimit të Badenterit), nuk duhet të rrëzohen në
Gjykatën Kushtetuese pa shumicë të dyfishtë edhe në radhët e gjykatësve. Këto
ndryshime do të mundësojnë që vendimet që prekin të drejtat e komuniteteve jo-
shumicë të mos merren pa konsensus të ndërsjellë brenda Gjykatës. Për më tepër,
kjo masë do të ruajë integritetin e ligjeve që miratohen me shumicën të dyfishtë, do
të rrisë besimin e qytetarëve në drejtësi dhe do të parandalojë çdo formë të
majorizimit institucional.

Bashkimit Demokratik për Integrim,
Kongresi i Pestë, 20 Dhjetor 2025

Kongresi vlerëson se thellimi i decentralizimit dhe fuqizimi i vetëqeverisjes lokale
përbëjnë shtyllë të rëndësishme të demokracisë funksionale dhe zhvillimit të
barabartë. Në këtë drejtim, kërkohet një fazë e re e decentralizimit funksional dhe
fiskal, me transferim të mëtejshëm të kompetencave dhe sigurim të pavarësisë
financiare të komunave, me qëllim rritjen e efikasitetit të shërbimeve publike dhe
ndikimit real të qytetarëve në politikat lokale.
Ky orientim politik synon të konsolidojë unitetin e shtetit jo përmes dominimit të
shumicës, por përmes partneritetit të barabartë ndëretnik, funksionimit të drejtë të
institucioneve dhe fuqizimit të pushtetit lokal. Kjo përbën rrugën e vetme drejt një
Republike të Maqedonisë së Veriut stabile, funksionale dhe të drejtë për të gjithë
qytetarët e saj.

REZOLUTË 2

PËR SHTETIN E SË DREJTËS, DREJTËSINË E PAVARUR
DHE RIKTHIMIN E BESIMIT NË INSTITUCIONE

Duke u mbështetur në vlerat themelore të demokracisë, shtetit të së drejtës
dhe barazisë para ligjit, si parime thelbësore për funksionimin e një shteti
modern dhe evropian;
Duke riafirmuar angazhimin e vazhdueshëm të Bashkimit Demokratik për
Integrim për ndërtimin e institucioneve të forta, profesionale dhe të
përgjegjshme, në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik;
Duke konstatuar se pa drejtësi të pavarur dhe të paanshme nuk mund të ketë
barazi reale ndërmjet qytetarëve, as besim të qëndrueshëm në institucionet
shtetërore;
Duke theksuar se drejtësia selektive, mosndëshkimi dhe ndikimi politik mbi
organet e drejtësisë minojnë themelet e rendit demokratik dhe prodhojnë
pabarazi strukturore në shoqëri;
Duke vlerësuar se korrupsioni sistemik dhe kapja e institucioneve përbëjnë
kërcënim serioz për stabilitetin institucional, zhvillimin ekonomik dhe
perspektivën evropiane të vendit;
Kongresi vlerëson se shteti i së drejtës është themeli i kohezionit shoqëror,
sigurisë juridike dhe barazisë funksionale ndërmjet qytetarëve dhe
komuniteteve. Në këtë drejtim, drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë, pa
dallim etnie, bindjeje politike apo pozite shoqërore.
Kongresi riafirmon qëndrimin e qartë dhe të pandryshueshëm të Bashkimit
Demokratik për Integrim se rikthimi i besimit në institucione nuk mund të
arrihet pa një proces gjithëpërfshirës, të drejtë dhe të besueshëm të vetingut
dhe hetimit institucional, pa përjashtime dhe pa selektivitet.
Kongresi vlerëson se gjyqësori dhe prokuroria duhet të jenë të pavarura, me
buxhet të mjaftueshëm dhe me respektim të përpiktë të ligjit lidhur me
financimin e tyre.
Në këtë frymë, Kongresi miraton këto orientime dhe kërkesa politike:
– Mbështetje e plotë për propozim-ligjin e BDI-së për veting me mbikëqyrje
ndërkombëtare, si garanci për drejtësi të pakompromis dhe proces të
besueshëm;
– Hetim gjithëpërfshirës për të gjithë bartësit e funksioneve publike në 33 vitet
e fundit, përfshirë ministra, deputetë, kryetarë komunash, drejtorë, gjyqtarë
dhe prokurorë;

Bashkimi Demokratik për Integrim
Kongresi i Pestë, 20 Dhjetor 2025
– Verifikim i pasurisë dhe i prejardhjes së saj për çdo funksionar publik, si
standard i domosdoshëm i transparencës dhe përgjegjshmërisë;
– Hetim i thelluar dhe institucional për procesin e privatizimit, i cili ka prodhuar
pabarazi strukturore dhe ka krijuar oligarkë të paprekshëm;
– Hetim dhe zbardhje institucionale e veprimtarisë së organeve të sigurisë së
shtetit dhe zyrtarëve të tyre nga viti 1945 deri më sot (OZNA, UDB, SDB,
DBK, UBK, ANB), në funksion të drejtësisë tranzicionale dhe transparencës
historike.
Kjo rezolutë përfaqëson angazhimin politik të BDI-së për rikthimin e besimit
në institucione, ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur dhe vendosjen e
barazisë reale para ligjit, si themel i një shteti demokratik, funksional dhe të
drejtë për të gjithë qytetarët.

REZOLUTË 3

PËR MARRËVESHJEN KOMBËTARE PËR PËRPARIM DHE ZHVILLIMIN E

QËNDRUESHËM TË VENDIT

Duke u mbështetur në rrugëtimin historik të vendit dhe në momentet kyçe të
guximit politik dhe përgjegjësisë shtetërore, përmes të cilave u ndërtua paqja
dhe bashkëjetesa, veçanërisht përmes Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes
së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë;
Duke riafirmuar bindjen se këto arritje historike u ndërtuan mbi urtësi, sakrificë
dhe besimin e thellë se paqja është themeli i çdo zhvillimi dhe e çdo të mire të
përbashkët;
Duke konstatuar se vendi ndodhet sot përpara një kapitulli të ri historik, në të
cilin paqja dhe stabiliteti, ndonëse të domosdoshme, nuk janë më të
mjaftueshme për të përmbushur pritjet e qytetarëve;
Duke vlerësuar se qytetarët kërkojnë më shumë mundësi, më shumë drejtësi
dhe më shumë cilësi jete, ndërsa brezat e rinj meritojnë një të ardhme me
perspektivë dhe përparim në vendin e tyre;
Duke theksuar nevojën për një marrëveshje të re shoqërore dhe politike, jo
për mbijetesë, por për zhvillim dhe përparim afatgjatë – Marrëveshje
Kombëtare për Përparim;
Kongresi vlerëson se përparimi i vërtetë nuk matet vetëm me tregues
ekonomikë, por me cilësinë e jetës së qytetarëve, me drejtësinë sociale dhe
me mundësitë reale që krijohen për të gjithë. Në këtë drejtim, vizioni zhvillimor
ndërtohet mbi një model konkurrues, të drejtë, të qëndrueshëm dhe tërësisht
evropian.
Kongresi thekson se në qendër të këtij vizioni qëndron ndërtimi i një ekonomie
konkurruese dhe moderne, e udhëhequr nga sektori privat dhe inovacioni. Një
ekonomi ku konkurrenca është e ndershme, ku monopoleve, oligarkisë dhe
ekonomisë joformale u vihet kufi, dhe ku sistemi tatimor është i drejtë, efikas
dhe i barabartë për të gjithë. Mbështetja për biznesin duhet të jetë
transparente, e bazuar në performancë dhe në përputhje me standardet e
Bashkimit Evropian, duke nxitur investime, punësim dhe integrim në zinxhirët
evropianë të vlerës.
Kongresi vlerëson se transformimi digjital përbën katalizator të domosdoshëm
të zhvillimit modern. Digjitalizimi i administratës dhe i ekonomisë, si dhe
përdorimi strategjik i teknologjive të avancuara dhe Inteligjencës Artificiale,
rrisin produktivitetin, përmirësojnë shërbimet publike dhe krijojnë vende pune
me vlerë të lartë për brezat e rinj.

Bashkimi Demokratik për Integrim
Kongresi i Pestë, 20 Dhjetor 2025
Në të njëjtën kohë, Kongresi riafirmon se nuk mund të ketë zhvillim të
qëndrueshëm pa stabilitet makroekonomik dhe financa publike të shëndosha.
Angazhimi për disiplinë fiskale, transparencë dhe llogaridhënie, për mbrojtjen
e investimeve kapitale dhe për një menaxhim modern të financave publike,
përbën bazë të besueshmërisë institucionale. Digjitalizimi i buxhetit dhe
kontrolli i shpenzimeve janë garanci për transparencë dhe përgjegjësi.
Një administratë tatimore e drejtë dhe moderne vlerësohet si shtyllë e këtij
modeli zhvillimi. Digjitalizimi i plotë i proceseve tatimore, rimbursimi në kohë i
TVSH-së, sistemi elektronik pagesor dhe lufta kundër ekonomisë joformale
krijojnë konkurrencë të ndershme, rrisin besimin e bizneseve dhe forcojnë
bazën tatimore pa rritur barrën mbi qytetarët.
Kongresi thekson se zhvillimi ekonomik duhet të jetë i gjelbër dhe i
qëndrueshëm. Një ekonomi e fortë ndërtohet mbi një mjedis të pastër, energji
të sigurt dhe të përballueshme, si dhe përdorim racional të burimeve natyrore.
Investimet në energji të ripërtëritshme, efikasitet energjetik dhe bujqësi
moderne përbëjnë investime në siguri, pavarësi dhe përparim afatgjatë.
Infrastruktura moderne vlerësohet si kusht për zhvillim të barabartë. Pozicioni
strategjik i vendit në korridoret panevropiane (Korridori 8 dhe 10) duhet të
shndërrohet në avantazh real ekonomik përmes investimeve në transport,
logjistikë, lidhshmëri digjitale dhe infrastrukturë komunale, duke përmirësuar
cilësinë e jetës dhe duke krijuar mundësi zhvillimi për çdo rajon. Në këtë
kuadër, turizmi përfaqësues, i mbështetur në pasuritë natyrore dhe kulturore,
vlerësohet si motor i zhvillimit lokal.
Kongresi riafirmon se njeriu është në qendër të çdo politike publike. Kapitali
njerëzor përbën pasurinë më të madhe të shoqërisë. Arsimi cilësor i lidhur me
tregun e punës, shëndetësia moderne dhe gjithëpërfshirëse, si dhe siguria
sociale e qëndrueshme, janë baza e një shoqërie të fortë dhe kohezive.
Në mënyrë të veçantë, Kongresi thekson se rinia e përfshirë dhe e fuqizuar
është garancia e së ardhmes. Politikat publike duhet t’u krijojnë të rinjve
perspektivë brenda vendit, përmes arsimit, inovacionit, sipërmarrjes, sportit
dhe kulturës, duke frenuar emigrimin, duke nxitur rikthimin e profesionistëve
dhe duke shndërruar diasporën në partner zhvillimi.
Kjo rezolutë përfaqëson angazhimin politik të Bashkimit Demokratik për
Integrim për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, të bazuar në barazi,
respekt dhe solidaritet, duke besuar se përparimi është i qëndrueshëm dhe i
fortë vetëm kur krijohet dhe ndahet me të gjithë qytetarët.
Ne dimë të ndërtojmë paqe. Tani duhet të dëshmojmë se dimë të ndërtojmë
edhe përparim. Marrëveshja Kombëtare për Përparim nuk është vetëm një
politikë – është një angazhim gjithë komuniteteve që jetojnë në Republikën
tonë dhe ekspertë të fushave përkatëse. Marrëveshja është një zotim moral,
një premtim ndaj fëmijëve tanë dhe një vizion i një vendi ku ëndrrat janë të
realizueshme dhe dinjiteti është i garantuar.

Bashkimi Demokratik për Integrim
Kongresi i Pestë, 20 Dhjetor 2025
Kjo marrëveshje do të jetë arritja jonë e radhës kombëtare – momenti kur
stabiliteti do të kthehet në progres dhe paqja do të shndërrohet në përparim.
Le të mbetet si dëshmi se ne u bashkuam jo vetëm për të shmangur konfliktin,
por për të ndërtuar një jetë më të mirë për çdo qytetar. Përparimi është më i
fortë, më i qëndrueshëm dhe më i bukur kur ndahet me të gjithë.
Një e ardhme më e begatë na pret. Së bashku, me urti, unitet dhe
vendosmëri, do ta ndërtojmë ardhmërinë tonë përparimtare Europiane.

REZOLUTË 4
PËR INTEGRIMIT EVROPIAN

Duke u mbështetur në vizionin politik, përcaktimet programore dhe
angazhimin e vazhdueshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim për
ndërtimin e një shteti modern, demokratik dhe funksional, të ndërtuar mbi
vlera evropiane dhe standarde të larta të qeverisjes;
Duke riafirmuar bindjen se integrimi evropian është zgjedhje strategjike dhe
rrugë e pakthyeshme për Republikën e Maqedonisë së Veriut, si mjet për
forcimin e demokracisë, stabilitetit, kohezionit shoqëror dhe karakterit
multietnik të shtetit;
Duke konstatuar se reformat nuk bëhen për institucionet ndërkombëtare, por
për qytetarët, për të ndërtuar institucione më të forta dhe më të besueshme,
një ekonomi konkurruese, drejtësi të pavarur dhe standard më të lartë jetese
për çdo familje;
Duke theksuar se integrimi evropian garanton paqe afatgjatë, marrëdhënie të
mira fqinjësore, rol aktiv të vendit në arkitekturën evropiane të sigurisë dhe
zhvillimit dhe përforcon kredibilitetin ndërkombëtar të Republikës së
Maqedonisë së Veriut;
Kongresi vlerëson se:
– Integrimi evropian konsolidon demokracinë, forcon kohezionin
shoqëror dhe mbron karakterin multietnik të shtetit si vlerë, jo si
pengesë;
– Procesi i integrimit është gjithashtu proces i stabilitetit dhe sigurisë,
duke krijuar kushte më të favorshme për zhvillim ekonomik dhe
investime;
– Bashkimi Demokratik për Integrim ka qenë dhe mbetet garant i kursit
evropian të vendit, duke udhëhequr me përgjegjësi, maturi politike dhe
vizion strategjik;
– Si partner i besueshëm i bashkësisë ndërkombëtare dhe faktor
stabiliteti në rajon, BDI do të vazhdojë të mbështesë dialogun politik,
konsensusin shoqëror dhe reformat evropiane;
– Integrimi evropian nuk është alternativë, por rruga e vetme drejt një të
ardhmeje më të sigurt, më të drejtë dhe më të begatë.
Kongresi riafirmon se rruga e integrimit evropian është:
– Rruga jonë e pakthyeshme;
– Përgjegjësi jonë historike;
– E ardhmja që do ta ndërtojmë bashkë.
Kongresi riafirmon se BDI respekton dhe mbështet identitetin kombëtar
maqedonas në procesin e integrimit europian duke vlerësuar se vetem një
shtet i konsoliduar dhe integruar në BE mund të ruaj dhe kultivojë identitetet
kombëtare të popujve këtu.

Bashkimi Demokratik për Integrim
Kongresi i Pestë, 20 Dhjetor 2025

Kjo rezolutë përcakton angazhimin e Bashkimit Demokratik për Integrim që të
mbetet forca udhëheqëse për integrimin evropian të Republikës së
Maqedonisë së Veriut dhe për zbatimin e reformave që e bëjnë shtetin më
funksional, më të drejtë dhe më të fortë për të gjithë qytetarët e tij.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com